MBAHEN HOMAZHE PËR AKTORIN E NJOHUR, MIRUSH KABASHI
Në Muzeun Historik Kombëtar sot mbahen homazhet për nder të mjeshtrit të madh të skenës, aktorit Mirush Kabashi i cili ndërroi jetë ditën e djeshme në moshën 75-vjeçare.
Homazhet për ikonën e artit shqiptar nisën në ora 10:00 e do mbahen deri në ora 13:00 në hollin e Muzeut.
Në orët e para të mëngjesit të djeshëm (5 dhjetor) u dha lajmi i trishtë për ndarjen nga jeta të Mirush Kabashit i cili prej vitesh vuante nga një sëmundje e rëndë për të cilën ishte kuruar edhe në Shqipëri.
Mirush Kabashi la pas bashkëshorten, dy vajzat, dashamirësinë e kolegëve dhe njerëzve të thjeshtë, që i fitoi me talent e qytetari. Për ndarjen e tij nga jeta pati reagime të shumta nga kolegët e tij, të cilët e cilësuan si të papërsëritshëm, duke theksuar se Kabashi kujdesej që çdo roli që kishte t’i jepte nuancën e duhur deri në perfeksion.
Mirush Kabashi la pas një trashëgimi të pasur artistike, si aktor i rreth 100 roleve në teatër dhe filma. Ai është cilësuar gjithashtu edhe si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Origjina e tij është nga Gjakova.
Në vitin 1970 ai u diplomua si aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993. Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues, ndërsa nga 2002 e në vijim në Teatrin Kombëtar.
Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë se Aktorit” pranë Akademisë së Arteve. Ai është nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”./shqiptarja.com
ObserverKult