Balina Bodinaku: ‘U diagnostikova me një sëmundje të rëndë, ndoshta të pashërueshme’
Balina Bodinaku rrëfeu në emisionin “Rudina” se prej 10 vjetësh, përballet me një sëmundje të rëndë. Pa u ndalur në detaje specifike, Balina tregoi se ka qenë një rrugëtim i mbushur me momente optimiste dhe pesimiste.
“Momenti më i vështirë në jetën time është momenti kur unë u diagnostikova me një sëmundje të rëndë, ndoshta të pashërueshme, i cili më ndryshoi jetën, më ndryshoi gjithçka në jetën time,” u shpreh ajo. “Është një sëmundje me të cilën vazhdoj luftoj…ky është momenti më i vështirë.”
“Por pavarësisht se duket si…okej, është moment i vështirë, nuk është gjë e bukur për të kaluar, unë kam shumë vite që merrem me këtë sëmundje, por brenda të keqes ka edhe shumë gjëra të mira që fitojmë nga sfida. Unë e quaj një sfidë, e quaj një provë dhe mendoj që nuk jam e vetmja që kaloj prova. Të gjithë i kanë provat e tyre në jetën e tyre. Kjo është ajo që mua më takoi të ndeshem dhe brenda saj sigurisht ka shumë mësime.”
Balina u shpreh se sëmundja e ka bërë të kuptojë se “kufijtë nuk ekzistojnë”.
“Mëson shumë, merr shumë, njeh veten ndryshe, njeh të tjerët ndryshe, sheh veten dhe botën ndryshe. Kupton që nuk ekziston asgjë e pamundur dhe kufijtë nuk janë ata që mendojmë ne që janë, nuk ka kufij […] Ti gjendesh në një situatë sfiduese si kjo në të cilën unë jam dhe kupton që jo, ti mësohesh të jetosh edhe me këtë gjënë dhe të përshtatesh dhe kupton që ata kufijtë që ti mendoin që ishin aty, në fakt nuk janë aty, ata ishin kufijtë që ia kishe vënë ti vetes.”
“Në fund të ditës, jemi në këtë jetë për të kaluar edhe prova dhe pjesë e rritjes sonë si njerëz dhe të qenit ata që ne jemi, kështu si jemi, janë edhe provat dhe nuk e shikoj këtë si një dramë, e shikoj si një vështirësi me të cilën punoj,” përfundoi ajo.
Anabelmagazine