Pirro Çako tregon pse nuk rikthehet më në skenë

I ftuar në “Pardon My French”, Pirro Çako shpjegoi pse nuk rikthehet në skenë, për të bërë një koncert.

“Unë vendosa në një moment të karrierës sime që të shkëputem. Ishte viti 2014 (kur) thashë “Stop”, nuk do dal më. Do shkruaj muzikë si kompozitor, siç e kam nisur karrierën time”.

Pirro, si kompozitor, i ka dhuruar publikut kryevepra, si ai i albumit “Çelu” i Elvana Gjatës, ose “Fortuna” me Tunën.

Megjithatë, artisti u shpreh se e ka menduar idenë e një koncerti:

“Unë nuk i them punës jo, por unë kam dalë nga logjika e koncerteve. S’jam menaxher, jam kompozitor. Në fazën që jam unë është pak e vështirë që një menaxher të më marrë përsipër”.

Me sinqeritet, ai pranoi se nuk është më kaq “in” për tregun dhe kohën, duke shtuar edhe se nuk është fitimprurës.

“Ka të tjerë që janë më tërheqës. Unë mund të vazhdoj të bëj muzikë të bukur dhe kjo është vetëm një anë e medaljes. Ana tjetër, është që të jesh në tregun e kohës”.

Kënga e fundit që Pirro ka kënduar, ka qenë bashkëpunimi “Sekreti im” me Xhensila Myrtezajn, por sërish, edhe pse nuk e shohim në koncerte, Pirro njoftoi para disa kohësh admiruesit e muzikës së tij se po rikthehet me “Triptik”. Tri këngët e “Triptik” do të jenë: “Radio në qiell”, “Tjetër njeri” dhe “Shpirt”.

“Së shpejti vjen ‘Shpirt’, kënga e parë e ‘Triptik-ut’, i cili lindi krejt natyrshëm në këtë fazë të jetës sime,” shkroi kantautori.

voxnews.al