Fjalët që Rez Veleshnjës i dolën nga shpirti për ikjen e Zef Dedës i përlotën të gjithë
Aktori i njohur Zef Deda ka ndërruar jetë sot. Mjeshtri i humorit shkodran ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Ishte djali i tij artist, Julian Deda që reagoi në rrjetet sociale, duke vendosur dhe një fiongo të zezë në shenjë zie.
Ndërkohë për humbjen e mjeshtrit te humorit, kanë shprehur pikëkillimin e tyre, emra te njohur të artit shqiptar. Mes tyre na bënë përshtypje fjalët prekëse të aktorit të njohur, Rezart Veleshnja, i cili ka bërë një postim në Instagramin e tij.
“Zef, bëre një jetë njerëzit të qeshin, por erdhi momenti dhe të qajmë një artist me shumë ngjyra, por dhe një baba i shkëlqyer! Arti jot në jetë dhe në profesion, është i rrallë të përsëritet në këtë vend. I pahaharruar do jesh, për të madh dhe të vogël në këtë vend të braktisur nga intelektualët”, shkruan Rez Veleshnja në postimin e tij.
Zef Deda ishte një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë. Lindi në Shkodër më 27 korrik 1950, ndërsa u shkollua në qytetin e tij të lindjes, dhe në Politeknikumin e Ndërtimit në Tiranë. Deda filloi shkollën e lartë për Gjuhë-Letërsi, por nuk e mbaroi dot për arsye shëndetësore. Aktori ka punuar për më shumë se 40-vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Talenti i tij spikat që në moshë të vogël, pasi me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai arrinte të realizonte qindra figura artistike. Pas një shkëputje prej 6 vitesh, për shkak te emigrimit jashtë atdheut, ai kthehet në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit. Zef Deda gjithashtu ka interpretuar edhe shumë komedi si: “Vëllai nga babai”, “Kollovari”, “Big Brother Shkodra 1”, “Big Brother Shkodra 2”, etj. /www.story.al