Ndarja nga jeta e futbollistit/ Gjokutaj: Rast që duhet trajtuar ftohtë, të presim ekspertizën mjeko-ligjore

Sulmuesi i ekipit të Egnatias, Raphael Dwamena, pësoi dje arrest kardiak në fushën e lojës dhe më pas ndërroi jetë në spital.

Ndarka e tij nga jeta ka sjellë një numër të madh reagimesh. Me një qëndrim të tijin për këtë çështje ka dalë edhe avokati Genci Gjokutaj, i cili deklaron se shkakun e humbjes së jetës mund ta përcaktojë vetëm ekspertiza mjeko-ligjore.

Ai deklaron se ky rast duhet këqyrur ftohtë për të kuptuar çfarë ka ndodhur, si duhet vepruar dhe si duhet ndaluar.

“Çdo çështje e dyshuar në këtë botë përfundon te ligji!

Po çfarë thotë ai për vdekjen e sportistit të ndjerë Rafael Duamena?

Është e një rëndësie parësore ekspertiza mjeko-ligjore, e cila duhet tej çdo dyshimi të përcaktojë shkakun e vdekjes së Rafaelit të ndjerë!

Pastaj ligji dhe të gjithë njerëzit e tij ku bëj pjesë edhe unë do të themi me kompetencë se kemi të bëjmë me vdekje natyrale, të lejuar apo të simuluar!

Ky rast duhet kqyrur ftohtë, siç e ka temperaturën vdekja për të kuptuar çfarë ka ndodhur, si duhet trajtuar dhe nesër si duhet ndaluar!

Ligji dhe prova nuk tolerojnë gajretin, lotët dhe qurrat!”, thekson Gjokutaj./ CNA