“Jeta ime në dorë të Zotit”, zbulohen detaje tronditëse: Mjekët i kishin thënë Dwamenës që…

Vdekja e futbollistit të Egnatias Raphael Dwamena, jo vetëm që ishte paralajmëruar më herët, por mesa duket të gjithë e prisnin të ndodhte një ditë.

28-vjeçari që u shemb në fushë ndaj ndeshjes mes Egnatias dhe Partizanit, kishte patur edhe të paktën dy herë më parë probleme me zemrën. Ai ishte shumë pranë kalimit në Premier League në vitin 2017, kur mjekët e Brighton i zbuluan problemin me zemrën.

Madje sipas gazetarëve të sportit, mjekët në Shqipëri i kishin thënë futbollistit ganez që të mos luante më futboll pasi rrezikonte shumë.

Gazetari i sportit Jetmir Halilaj tha se futbollisti kishte patur aparat defibrilator, por e kishte hequr së fundmi. Sipas tij, kur futbollisti diskutonte për shëndetin e tij, shprehej “jeta ime është në dorë të Zotit”.

Sipas ekspertëve të sportit, kampionati shqiptar i ka rregullat në atë mënyrë që lejon të luajnë edhe futbollistët që kanë probleme të tilla shëndetësore. Ndryshe është në kampionatin anglez, ku një gjë e tillë është kategorikisht e pamundur.