Tragjike! Humb jetën foshnja që u braktis nga nëna në garazhin e pallatit në Tiranë

Foshnja e gjetur një ditë më parë në garazhin e një pallati në Yzberisht të Tiranës, nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë. Lajmi konfirmohet nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

“Sapo mora një lajm të trishtë nga Drejtori i Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” , i cili më njoftoi se foshnja e braktisur në zonën e Yzberishtit në Tiranë nuk ia doli dot edhe pse mjekët e spitalit bënë të gjitha përpjekjet. Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ka ndaluar nënën që e braktisi pa na dhënë mundësinë ne të gjithëve, agjencive shtetërore, shoqërisë civile ta gjenim në kohë dhe të mund ta shpëtonim. Kjo është një ngjarje e rëndë që kërkon një reflektim dhe masa konkrete nga të gjithë”, shkruajti Balla.

Bebja u braktis nga nëna e tij 30-vjeçare Egljanta Isufi, e cila dyshohet se e lindi pikërisht në vendin ku u gjet. Ishte një banor i zonës që dëgjoi të qarat e të porsalindurit (Lexo më shumë). Menjëherë pasi mbërriti në spital djali i vogël shfaqi probleme të rënda shëndetësore. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai nuk mundi të mbijetonte dhe ndërroi jetë.

Aktualisht, nëna e tij ndodhet në spital nën masën e arrestit, për braktisjen e të birit. Me vdekjen e tij, pozitat e 30-vjeçares pritet të rëndohen. Para hetuesve ajo mësohet se ka deklaruar se arsyeja që e ka fshehur shtatzëninë e saj dhe ka braktisur beben ka qenë për shkak se nuk ka dashur që të merrej vesh nga familja e saj, por edhe opinioni publik, për shkak se ishte e pamartuar (Lexo më shumë).

Një reagim për vdekjen e foshnjes dhe arrestimin e 30-vjeçares pati edhe policia e Tiranës.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë arrestuar Egljanta Isufin, 30 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”. Ditën e djeshme, shërbimet e Policisë, së bashku me stafin mjekësor, kanë dërguar në spital, foshnjen e braktisur nga kjo shtetase, por pavarësisht ndihmës së menjëhershme të dhënë nga shërbimet e Policisë dhe stafit mjekësor, ditën e sotme foshnja ka ndërruar jetë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

/tvklan.al