Matthew Perry: Kërkohet hetim shtesë për vdekjen e aktorit
Për të zbuluar shkakun e vdekjes së aktorit Matthew Perry në rezidencën e tij të shtunën do të duhen të kryhen hetime shtesë nga Zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të Qarkut të Los Angeles përpara se të arrihet një përfundim.
Një autopsi është kryer, por ekzaminuesit janë në pritje të rezultateve të raporteve toksikologjike për të përcaktuar shkakun e vdekjes së Perry-t. Ata po planifikojnë të përdorin raportet toksikologjike për të përcaktuar nëse ndonjë substancë e huaj mund të ketë kontribuar në vdekjen e aktorit.
Perry, 54 vjeç, u gjet pa shenja jete në vaskë. Të dielën, familja e tij lëshoi një deklaratë duke thënë se ata ishin “zemërthyer nga humbja tragjike e djalit dhe vëllait tonë të dashur”.
Matthew Perry u bë i famshëm në sitcom-in “Friends”, ku luajti rolin e Chandler Bling për plot 10 sezone, një burrë që kishte batuta sarkastike. Matthew ka folur shpesh për jetën e tij të vështirë, pasi 3 vite pas debutimit të serialit, ai u përfshi në një aksident dhe nisi varësinë ndaj ilaçeve që zbusin dhimbjen.
Aktori luftoi me varësinë në kulmin e karrierës së tij në “Friends” dhe është shprehur nëpër intervista se për shkak të kësaj, nuk ishte në gjendje ta shihte shfaqjen.
Në vitin 2022, aktori i ndjerë publikoi një libër me kujtime: “Friends, Lovers, and the Big Terrible Things: A Memoir”, ku tregoi me detaje famën, betejat me shëndetin e tij, si dhe me varësinë ndaj substancave narkotike dhe alkoolit.
Anabelmagazine