U lidh me një 47-vjeçar: Shqiptarja largohet nga ‘Grande Fratello’ pas takimit me të atin

Episodi i fundit i “Grande Fratello” në Itali ka pasur si qendër të vëmendjes konkurrenten shqiptare, Heidi Baci, e cila krijoi një lidhje me një 47-vjeçar, raport që nuk u miratua nga familja e saj.

Heidi, 26 vjeçe, gjatë qëndrimit në “Grande Fratello”, krijoi një marrëdhënie me aktorin Massimiliano Varrese, 47 vjeç. Kjo lidhje, duket se inatosi të atin e Heidit, Gentin, i cili takoi të bijën për t’i thënë se kishte gabuar dhe duhet të hiqte dorë nga raporti në fjalë.

“Erdha këtu sepse të dua: zgjedhja jote e gabuar na habiti. Mami dhe unë jemi të tronditur dhe të shkatërruar. Ti dhe një burrë më i madh se unë, i cili do të dalë në pension së shpejti. Nuk të njoh më,” ishin fjalët e Gentit, i cili e pikturoi Massimiliano-n si një njeri të dhunshëm dhe manipulues.

“Nuk ke arritur të vendosësh një mur me një person që të shkakton stres. Mami nuk të shikon më nga ai moment. Unë jam këtu sepse nuk do të lejoj askënd ta trajtojë keq vajzën time. Nuk lejoj askënd të shkelë dinjitetin e saj”.

Pas fjalëve të tij, Heidi u përball me Massimilianon duke i thënë ndër të tjera: “Të respektoj, të admiroj, nuk je i dhunshëm. Babait tim nuk i pëlqen të shohë dikë që ka një qëndrim shtypës ndaj meje. Përfundimi është gjithmonë i njëjtë: pëlqimi ishte, unë u magjepsa nga ti, por le t’i japim fund. Jemi njerëz të ndryshëm.”

Ajo vendosi të largohej nga gara “për arsye personale”, ndonëse ndjekësit kanë rënë dakord që arsyeja ishte frika se mos kishte zhgënjyer nënën dhe babain.

“Tani e kuptoj se nga çfarë kishte frikë Heidi dhe nuk jam unë. Ajo me siguri do të ketë frikë nga gjykimi i babait të saj,” u shpreh 47-vjeçari.

Sjellja e Gentit është kritikuar ashpër në rrjete sociale. Pavarësisht se disa kanë vënë në dukje, sipas tyre, sjelljet “manipuluese” të Massimiliano-s, të shumtë janë ata që kanë dënuar vendimin e të atit për të kontrolluar jetën e Heidit.

Debati duket i nxehtë edhe mes ndjekësve shqiptarë, mendimet e të cilëve i lexoni në postimin në vijim.

Anabelmagazine