Dedikim për një dashuri që nuk ia doli dot, Evi Reçi flet mbi projektin e saj të ri!

Evi Reçi është rikthyer pas një periudhe me një këngë të re. Ajo ka bashkuar forcat me Zaza duke sjellë “Mdo”, një projekt pak më ndyshe nga sa e kemi parë shpesh Evin. Ajo ka qenë e ftuar në “Live From Tirana” për të folur më shumë për këtë këngë të saj të re, jetën e saj romantike, por jo vetëm…

Si fillim, si lindi ky projekt me Zaza?

Ishte ndryshe. Zakonisht njerëzit presin që unë të vij më e qetë, më e mbuluar. Por tani i nxorrëm ca gjëra ndryshe kësaj radhe. Në bashkëpunim me Zazën sigurisht. E pëlqyem si zë dhe producentët tanë u bënë bashkë dhe thanë që Evi me Zazën nuk i shkon në mendje askujt që mund të këndojnë bashkë, kështu që le ta bëjmë. Është super talent, vokal shumë i mirë. Jemi aq të kundërt dhe aq me kimi të madhe.

Ndërkohë kënga flet për një lidhje që ka përfunduar, pas shumë tentativash për të qenë së bashku. Çfarë mund të thuash për këtë?

Muma e ka bërë tekstin. Duke qenë se ai kur këndon dhe kur krijon i ka shumë të ndjera gjërat, ndoshta i ka dhe personale. E imja nuk është kjo. Ai ka thënë që pas tentativave të shumta që një çift bëjnë që të jenë bashkë, ata nuk ia dalin, edhe pse duhen. Teksti është “Asnjëherë, asnjëherë nuk do kthehemi bashkë, edhe pse duhemi”. Por ka shumë ritëm dhe nuk të trishton shumë.

Si e sheh tregun muzikor aktualisht?

Është shtet më vete…(qesh) Sigurisht ka produksione shumë të mira, por është ajo muzika që tashmë na njohin. Po të shkosh në Gjermani, për shembull, e dinë që në Shqipëri dhe në Kosovë, ka këtë lloj muzike, është ky stil.

A je munduar t’i përshtatesh ndopak këtij stili?

Sigurisht. Po të më pyesësh sot dhe me këtë këngë me Zazan, thashë “OK, këtë doni”. Duke u përshtatur në stilin tim dhe duke bashkëpunuar me producentët. Mendoj që duhet përshtatur, pa dalë nga stili yt. Nesër mund të kthehem 100% tek ajo që kam bërë, por mbizotëron një kauzë, mbizotërojnë disa emra. Besoj se duhet filluar të mendohet ndryshe marketingu tani. Ndonjëherë këto këngët tona bëhen të njohura në Gjermani apo Algjeri, sepse jemi pak nga të gjitha. Besoj që kanë bërë bujë disa këngë andej, por këtu mbetemi tek këndimi nëpër club-e. Nëse unë kam 30 milionë klikime dhe prapë këndoj në një club, ndonjëherë më vjen keq sepse them që ky artist duhet të ishte vërtet diku tjetër. Por ky është tregu ynë dhe nuk e ndryshojmë dot.

Evi na tregoi gjithashtu se për projektin e saj me Zaza, “Mdo”, ka punuar edhe me partnerin e saj, Kledi Hysën.

Më mirë punohet dyshe. Kledi ka qenë aty që fillim të demos, bëri kontakt me producentët. Të kupton, arrin të kuptojë qëllimin tënd. Edhe ai është pjesë e showbiz-it, kështu që arrin të kuptojë se çfarë ndodh në botën tonë. Besoj se punohet më mirë sepse, gëzimin, nervat, i ndani bashkë.

Ju aktualisht bashkëjetoni?

Aktualisht ne jemi në distancë sepse jeton në Austri dhe shkojmë e vijmë. Është personale (lidhja jonë), por tashmë njerëzit e dinë tani. Me datë 13 do të shkoj unë, kurse me datë 27 do të vijë ai. Unë rri në fundjavë sepse jam në punë, kurse ai e ka më të lehtë, sepse puna e tij e lejon që të lëvizë dhe ta marrë laptopin me vete. Plus është në fushën e modës dhe ato sfilatat dhe fotosesionet janë të menaxhueshme, kështu që e ka më të lehtë që të vijë ai. Në Shqipëri ka gjetur një terren të mirë.

E duan shumë njerëzit, madje kërkojnë më shumë foto me të se sa me mua. Më kujtohet një herë që erdhi një zonjë që donte të bënte një foto me të dhe më tha mua: “O vajza, na bëj një foto.” Pastaj pasi e bëri, e kuptoi kush isha. Më bëhet shumë qejfi që e duan njerëzit. Ai i ka bërë vend vetes. Është shumë i hapur, shumë miqësor dhe e kuptoj pse ndodh kjo gjë.