“Bojkoto Cecën”, komuniteti shqiptar i diasporës thirrje në rrjetet sociale kundër këngëtares serbe
Një koncert i Ceca-s në Mal të Zi duket se nuk po pritet mirë. Diaspora shqiptare po bën thirrje në të gjitha rrjetet sociale për të bojkotuar koncertin e Cecës, gruas së kriminelit serb të luftës, Arkanit, e cila do të interpretojë në një restorant në Ulqin të Malit të Zi. Por data e eventit ende nuk është bërë me dije, por megjithatë ka shkaktuar shumë reagime nga komuniteti shqiptar që kërkon të anulohet eventi.
Thirrjen e shqiptarëve dhe organizatave e kanë shpërndarë edhe figura politike në Shqipëri , shoqëruar me pamfletin.
“Bojkoto Cecën! Bojkotoni kriminelët e luftës dhe mbështetësit e tyre! Bashkohuni me organizatat shqiptaro-amerikane të Malit të zi në bojkotimin e restorantit që organizon koncertin e Cecës, bashkëshorten e kriminelit të luftës së Arkanit që masakroi mijëra shqiptarë. Kushdo që merr pjesë në koncert po mbështet kriminelët e luftës që kanë bërë masakrën, përdhunime, gjenocidin ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve,”-thuhet në letër.
Krimineli i njohur serb Zheljko Razhnjatovic i njohur si Arkani është një nga figurat më të tmerrshme që ka njohur ndonjëherë Ballkani. Arkani njihet edhe si udhëheqësi i njësisë ushtarake “Tigrat”, që akuzohet për masakra gjatë luftërave në Kroaci, Bosnjë e Herzegovinë dhe Kosovë. Zheljko Razhnjatovic u martua me Svetlana Raznatovic, e njohur si Ceca, një nga këngëtaret më në zë të Serbisë dhe së bashku kanë një vajzë, Anastasija dhe një djalë, Vjelko. Arkani u vra në vitin 2000 teksa dilte nga një hotel, ndërsa brenda ishte ende gruaja e tij. Vdekja e tij ishte shumë e mistershme. Ende sot mbetet enigmë.