RMV: Nxirret nga uji makina e familjes Pacolli bashkë me 3 trupat e pajetë (Video)

Klan Macedonia sjell pamjet e nxjerrjes nga uji të makinës ku udhëtonte familja Pacolli nga Kosova. Sipas asaj që raportojnë kolegët e Klan Macedonia, në automjet konfirmohet se ndodhen trupat e pajetë të 3 personave.

Viktimat nga kjo ngjarje e rëndë janë bashkëshortët Naim dhe Merita Pacolli, 60 dhe 48 vjeç, si dhe djali i tyre 16-vjeçar Ermal Pacolli.

Trupat e pajetë u gjetën në pjesën e pasme të makinës, me gjasë pasi ata u përpoqën të dilnin prej mjetit. Lajmin e konfirmoi edhe Ministria e Punëve të Brendshme të RMV.

“MPB njofton opinionin se nga ana e zyrtarëve policor të Njësisë Speciale Antiterroriste “Tigrat” në lumin Lepenc janë gjetur tre trupa të pajetë, të cilët ishin në kërkim pas aksidentit të djeshëm në rrugën Shkup – Bllacë. Është gjetur edhe vetura BMV, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se 4 anëtarët e familjes nga Kosova përfunduan me makinë në lumë rreth orës 15:20 të së shtunës, në aksin rrugor Shkup-Bllacë, në Maqedoninë e Veriut. Makina BMW ku udhëtonte familja Pacolli ra në lumin Lepenc, pasi u përplas me një tjetër automjet. Kërkimet nisën prej pasdites së djeshme. Nga 4 personat që ndodheshin në automjet, u arrit të shpëtohej një 20-vjeçar i cili u dërgua në spital (Lexo më shumë). Ai mësohet se arriti të hidhej nga makina para se mjeti të merrej nga rrjedha e lumit.

Në operacionin për gjetjen e familjes që udhëtonte drejt Prishtinës u angazhuan autoritetet maqedonase e ata nga Kosova, por edhe vullnetarë.

Klan Macedonia e ndoqi nga afër këtë ngjarje dhe gjatë orëve të pasdites së sotme, konfirmoi gjetjen e automjetit në lumë, pranë vendit ku ndodhi ngjarja e rëndë. Ekipi i Klan Macedonia nga terreni raportoi po ashtu se familjarë të viktimave ndodheshin.

Më herët, autoritetet në Maqedoninë e Veriut njoftuan arrestimin e shoferit të makinës tjetër që u përfshi në aksidentin tragjik.

“Me datë 17.06.2023 rreth orës 15:20 është raportuar se në rrugën Shkup – VK Bllacë ka ndodhur një aksident trafiku, me të cilin janë përfshirë automjeti i pasagjerëve ‘Volkswagen Turan’ me targa të Shkupit i drejtuar nga B.B (64) nga Shkupi dhe një veturë të udhëtarëve ‘BMW me targa të Kosovës e drejtuar nga N.P (60) nga Kosova, e cila pas aksidentit ka rënë në lumin Lepenc. Në mjetin tip BMW, sipas kallëzimit, përveç drejtuesit të mjetit ndodheshin edhe tre pasagjerë M.P (48), Sh.P (20) dhe një i mitur 16-vjeçar. Me urdhër të prokurorit publik drejtuesi i mjetit ‘Volkswagen Touran’ B.B privohet nga liria dhe ndalohet për veprime të mëtejshme”, thuhej në një njoftim.

Ndërkohë, për ngjarjen e rëndë reagoi edhe biznesmeni Behgjet Pacolli, në dy postime në rrjetet sociale. I pari erdhi mbrëmjen e së shtunës: “E përjetoj me dhimbje tragjedinë e familjes Pacolli, këtë mbrëmje në Maqedoni ku Naim, Merita dhe Ermal Pacolli, humben jetën. Zoti i mëshiroftë të ndjeret e Shkëlqimit i uroi shërim të shpejtë. Lutem për këtë familje!”

Ndërsa në një postim pasditen e kësaj të diele, pas nxjerrjes së trupave nga lumi, Pacolli përcolli edhe fotot e viktimave, ndërsa shkruajti: “Viktimat e familjes Pacolli, të prehen në paqe në atdhe. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve! Një tragjedi që na prek të gjithëve!”

Një reagim pati edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

“Falenderoj përzemërsisht ekipet tona profesionale të FSK-së, Policisë së Kosovës, vullnetarët e kërkim-shpëtimit dhe autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët në bashkëpunim të ngushtë, që nga momenti kritik, kanë bërë maksimumin e tyre përkundër të gjitha sfidave me të cilat janë ballafaquar”.

/tvklan.al