I doli video intime në zyrë, Safet Gjici jep dorëheqjen si kryetar i Bashkisë Kukës

Safet Gjici ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë së Kukësit. Vendimi i tij erdhi pas publikimit të një videoje intime të tij duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrën e bashkisë.

“Nuk mund të jem më unë njeriu që punon në atë zyrë shteti pasi e kam tradhtuar besimin e atyre mijëra njerëzve që besuan e punuan me mua për ta bërë Kukësin një qytet gjithnjë e më të mirë. Ndjesë të gjithëve dhe mirënjohje gjithë jetën kujtdo më besoi dhe mbështeti. Ishte nderi i jetës time që u njollos nga një mendjelehtësi e pafalshme ndaj sot ndjej detyrimin minimal të jap dorëheqjen! Zoti ju bekoftë të gjithëve”, shkroi Gjici në rrjetet sociale.

Pasi kërkon një ndjesë të thellë për videon, Gjici shprehet se ra pre e një kurthi të përgatitur me detaje. E sa i përket vajzës në video, ai thotë se prej disa kohësh është në një marrëdhënie intime me të, por prapë se prapë, kjo nuk justifikon atë që ka ndodhur.

“Ndjesë të thellë publike çdokujt që sot ka parë atë material të shëmtuar video. Pas një fushate dhe përballjeje jo të lehtë me kundërshtarët e mi, pas të cilës rezultova fitues, fatkeqësisht unë rashë pre e një kurthi të përgatitur me detaje nga e njëjta dorë njerëzish me të cilët u përballa në zgjedhje. Ja arritën ta bëjnë në një formë tjetër të pistë atë që se bënë dot me votën e kuksianëve. Jam shumë i keqardhur për ngjarjen dhe jam mëse i qartë se në këtë situatë nuk ka vlerë asnjë lloj sqarimi. Prej disa kohësh unë kam një marrëdhënie intime me vajzën në fjalë por sigurisht nuk kam asnjë justifikim për atë çka ka ndodhur pavarësisht se i rënë në kurth”, tha Gjici.

Në të njëjtën kohë me deklaratën e Gjicit, Klan News mësoi se qeveria, e cila po zhvillon aktualisht mbledhje, mori vendimin për shkarkimin e tij nga detyra.

Kujtojmë që më herët, SPAK nisi hetimet kryesisht pas publikimit të videos. E kjo e fundit rezulton të jetë filmuar më 6 Qershor të këtij viti.

/tvklan.al