Qeveria greke miraton linjë direkte me autobus Athinë-Himarë
Ministria greke e Transportit ka miratuar një linjë të re transporti me autobus që do të niset nga Athina me destinacion Himarën.
Kjo linjë e re do të ndjekë itinerarin: Athinë – Korinth – Kiato – Xylokastro – Aigio – Patras – Agrinio – Amfilochia – Prevezë – Gumenicë – Mavromati (kufiri) – Finiq – Delvinë – Sarandë – Himarë.
Gjithashtu, me rregullore përkatëse nga ministri grek Janis Golias, lejohet hipja e pasagjerëve nga Gumenica dhe Saranda, gjatë funksionimit të linjës Athinë – Mavromati – Himarë.
Ky vendim vjen në një kohë kur tensionet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë rritur ndjeshëm, pas arrestimit të kandidatit për kryebashkiak të Himarës Fredi Beleri.
Ky i fundit është pas hekurave me akuzën e korrupsionit për blerje votash, ndërsa Greqia e ka ngritur çështjen deri në institucionet më të larta të BE-së.
Greqia e pretendon Himarën si minoritet grek, por Shqipëria nuk e njeh një gjë të tillë.