Arrestohet ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako
Ekzekutimi i urdhër-arrestit për ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako është ekzekutuar.
Lajmi është konfirmuar nga burime për Ora News që bëjnë me dije se Dako është arrestuar ndërsa vijon aksioni për 9 ish-zyrtarët e tjerë.
Aksioni i SPAK duket se ka nisur pas dyshimeve për korrupsion dhe falsifikim dokumentesh.
Përmes burimeve në SPAK, “Ora News“ ka mësuar se një gjyqtar ka vendosur mospranimin e kërkesës së prokurorisë, për arrestimin e Vangjush Dakos dhe caktimin e masës së sigurisë personale për personat e tjerë.
Pas këtij vendimi, prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, këtë javë e ka apeluar Vendimin e Shkallës së Parë në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, duke kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Vangjush Dakon dhe disa persona të tjerë.
Ndërsa masa më të buta si “arrest në shtëpi” janë kërkuar për disa nga femrat e proceduara në këtë procedim penal që po hetohet për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ndërtimit pa leje” për qëllime përfitimi.
Dako rezulton i kallëzuar në SPAK nga disa banorë të një pallati, objekt i cili më pas u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Dako, është figura kryesore e Partisë Socialiste në qytetin e Durrësit dhe figura më e përfolur lidhur me kontaktet e tij në botën e ktimit në këtë zonë.
Vangjush Dako, ka qënë pjesë e verifikimeve në një dosje të SPAK që flet për organizim dhe blerje votash për llogari të PS, në qarkun e Durrësit.
Dako në këtë dosje me nr.339 del në përgjime teksa flet me anëtarë të grupit Avdyli në Shijak për bletjen e votave.
Edhe pas shpalljes familjarisht “Non grata” nga autoritetet amerikane “për korrupsion madhor”, Prokuroria për Krime të Rënda e ka marrë sërish në pyetje, por vetëm pak muaj më vonë ky institucion u shkri pas krijimit të SPAK dhe çështja kundër tij, i kaloi Prokurorisë së Posaçme.