DETAJET: Ripërsëritet rasti grek ‘BABIS’, vritet nga partneri 29-vjeçarja shtatzënë në Itali
Rasti i vrasjes së Caroline Crouch, e cila u vra nga bashkëshorti i saj Babis në Greqi, po përsëritet në Itali. Shteti fqinj u trondit mëngjesin e sotëm pas lajmit se është gjetur trupi i pajetë i 29-vjeçares Giulia Tramontano, shtatë muajshe shtatzënë e cila ishte zhdukur që prej fundjavës.
Trupi i saj është gjetur në një ndërtesë të vjetër në via Monte Rosa.
Ka qenë partneri i saj Alessandro Impagnatiello, i arrestuar për vrasje, ai që ka treguar se ku e kishte fshehur trupin e të resë. Rrëfimi erdhi pas një dite kërkimesh të furishme dhe zhvillimeve të papritura hetimore. Ai ka rrëfyer se ka vrarë partneren e tij dhe ka ngarkuar trupin në fuoristradën e tij ‘Volkswagen T-roc’. Më pas ai kishte ecur për disa kilometra, aq sa hetuesit supozuan se ai mund të kishte arritur në një zonë të pyllëzuar. Nuk ishte kështu dhe trupi u gjet gjashtëqind metra larg shtëpisë.
Apartamenti, në të cilin jetonte çifti ishte sekuestruar pasi në fuoristradën e 30-vjeçarit, i cili punonte si barist në një lokal luksoz në Milano, u gjetën gjurmë gjaku. Më pas, kur karabinierët analizuan banesën, dolën shumë gjurmë gjaku, veçanërisht në shkallët e godinës dhe në hyrje të saj. Kishte tentuar edhe ti pastronte, por nuk i shpëtuan analizave shkencore.
Në atë moment 30-vjeçari ka rrëfyer dhe ka lejuar gjetjen e trupit: “Unë e vrava”.
Sipas një ekzaminimi fillestar, ai ka tentuar të djegë edhe trupin, i cili është gjetur i mbështjellë me disa qese plastike. Por mjaftoi një vështrim i karabinierëve për të vënë re tatuazhin e madh në krahun e djathtë të vajzës dhe për të njohur trupin pa dyshim.
Dyshohet se ka qenë vetë Impagnatiello ai që ka shkruar mesazhet e fundit të dërguara nga celulari i vajzës mbrëmjen e së shtunës. E fundit rreth orës 21.30 kur i shkruante një shoqeje se ishte e mërzitur pas një debati me të dashurin dhe se donte vetëm të flinte.
Giulia Tramontano ishte zhdukur nga shtëpia natën mes së shtunës dhe të dielës. Pesë ditë në të cilat nuk ka pasur asnjë shenjë jete nga ajo. Pavarësisht shpresës së dobët të motrës së saj Chiara, e cila lëshon një tjetër thirrje të dëshpëruar në rrjetet sociale: “Ne po kërkojmë Giulia-n të gjallë, na ndihmoni ta gjejmë”.
Pak para orës një të mëngjesit konfirmimi përfundimtar erdhi, se nuk kishte asgjë më shumë për të bërë.
Nga hetimet u zbulua se Giulia kishte pasur një debat të rëndë me të dashurin e saj pas zbulimit të një lidhjeje paralele me një vajzë të huaj. Një vajzë e cila gjithashtu kishte mbetur shtatzënë muaj më parë para se të vendoste të ndërpresë shtatzëninë. Dy femrat kishin pasur edhe një përballje, të shtunën.
Hipoteza e hetuesve është se dy të dashurit më pas kanë pasur një grindje, gjatë së cilës Impagnatiello dyshohet se ka vrarë 29-vjeçaren dhe më pas ka hequr trupin e saj. Është ende e paqartë se si ajo u vra.
j.l./ dita