“Kancerin s’e ndalojmë sado të pasur të jemi”, pastori: Lumturia varet nga rrethanat
Pastori Ylli Doçi i ftuar në “Good Morning Albania”, ndërsa po fliste për lidhjen e pasurisë me lumturinë, tha se lumturia varet nga një sërë rrethanash dhe jo vetëm nga sasia e parave që një individ ka.
Ai tha që lumturia nuk duhet të jetë qëllim në vetvete i jetës së njerëzve, pasi rrethana të caktuara e kushtëzojnë atë, ndërsa shtoi se edhe nëse ti je njeriu më i pasur në botë, mund të vdesësh nga kanceri, pa mundur të bësh asgjë.
“Lumturia nuk është gjëja më e rëndësishme, ajo varet nga rrethanat, rrethanat nuk i kemi ne në dorë dhe rrethanat janë të pamundura për t’u patur në plotësinë tyre, ne nuk mund ta mbrojmë dot veten nga kanceri. Mundohu sa të duash. Milionerë mund të jesh ti sot mund të kesh kancer dhe vdes.
Si mund ta përkufizosh qëllimin e jetës tënde me “të jem i lumtur”, por duke qenë i përmbushur, duke arritur ato ëndrra dhe vizione që ti ke në përputhje me dhuntitë që ti ke dhe që të tjerët i dallojnë te ti. Kur ti përmbush qëllimin e ekzistencës tënde në përputhje me vizionin për jetën tënde, atëherë ti je i lumtur edhe po nuk pate rrethana të plota”, -tha pastori Ylli Doçi për Euronews Albania.