Fiton çmimin e vitit fotoja e gruas shtatzënë të plagosur në Ukrainë!

Fotografia e një gruaje shtatzënë në qytetin ukrainas të Mariupolit, e cila shihet duke u larguar nga materniteti, për shkak të sulmeve ruse, është shpallur fotografia më e mirë e vitit në gjithë botën. Në fotografinë e realizuar nga fotografi i agjencisë Associated Press, Evgeniy Maloletka, Iryna Kalinina, 32-vjeçare, shihet duke dalë nga rrënojat, pas shkatërrimit të spitalit.

Kalinina dhe foshnja e saj kanë vdekur pak kohë pas sulmit. Maloletka dhe kolegu i tij Mstyslav Chernov, kanë kaluar gati tri javë duke dokumentuar tmerret e luftës në Mariupol. Përmes një video-inçizimi ai tha:

Për mua, kjo është fotografia që dua ta harroj por nuk mundem. Shpresoj që gjithë puna që kemi bërë, do të ndihmojë që njerëzit të kuptojnë. Ndoshta do të përdoret në ndonjë rast kundër krimeve ruse të luftës.

Rikujtojmë, se lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Top Albania Radio