VIDEO: Sërish kaos në Basketboll, drejtoresha e Tiranës përfshihet në ‘skandal’, ia hedh fanellën mbi kokë arbitrit
Skuadra “Besëlidhja” e Lezhës në basketboll për meshkuj fitoi 80-73 ndaj Tiranës në finalen e dytë play off, luajtur në “Feti Borova”. Një ndeshje emocionuese dhe me rivalitet nga ana e të dy skuadrave, që deri në fund dueluan për fitoren.
Falë këtij suksesi, lezhjanët udhëheqin 2-0 serinë e takimeve dhe janë një fitore larg titullit dhe histories.
Mirëpo fundi i takimit pati edhe tension, kur një fanellë e grisur e një basketbollisti të Tiranës përfundoi në kokën e gjyqtarit të ndeshjes, nga ana e shefes së klubit bardheblu, Deborah Keçit që protestoi për gjyqtarët.
Deborah Keçi u vendos në drejtimin e Tiranës, klubit më të madh shumësportësh në vendin tonë, në tetor të 2020-ës. Ajo është një ish-kampione noti, madje këtë vit ishte edhe pjesë e kastit të “Dancing With The Stars” .
Siç shihet edhe në video, e pakënaqur me rezultatin e skuadrës së klubit që drejton ajo ka bërë këtë gjest të pahijshëm kundrejt gjyqtarit.
Ky veprim i saj u dënua nga publiku, pasi erdhi vetëm disa ditë pasi ajo vetë foli kundër dhunës madje kërkoi që lojtareve të Partizanit të cilat u përleshën me lojtaret e Tiranës t’u bëhej një test droge, për sjelljen e tyre agresive.
Drejtoresha e një klubi zhgënjimin për humbjen e skuadrës së saj e shprehu duke i hedhur në kokë fanellën gjyqtarit, veprim që i “dha” zemër akoma më shumë tifozëve.
Këta të fundit në përfundim të ndeshjes reaguan gjithashtu duke hedhur shishe në fushë në shenjë proteste për gjyqtarin e ndeshjes.