Dhunoi të dashurën, Gleard Gusholli sot në Gjykatë. Gazetarja: Rezulton i skeduar në Austri e Gjermani, ka lidhje familjare me…
Këtë të Martë në orën 10:30 para togave të zeza të Gjykatës së Tiranës, dalin për t’u njohur me masat e sigurisë 5 të arrestuarit, për dhunimin e një 28-vjeçareje nga Gleard Gusholli.
Sipas gazetares së Klan News Glidona Daci, për Gleard Gushollin që akuzohet si autor i dhunës dhe pengmarrjes prokuroria e Tiranës do të kërkojë arrest me burg, ndërsa për Bledi Kateshin, Erlin Kateshin, Besmir Nucellarin dhe Arjan Shetan, që akuzohen për moskallëzim krimi dhe përkrahje të autorit, do të kërkohet detyrim paraqitje.
Ndryshe nga sa e ka referuar Policia, organi i akuzës, ka vendosur rikualifikimin e veprës penale, për plagosje, dhunë në familje nëpërmjet kanosjes dhe kërcënimit për vrasje si dhe heqje të paligjshme të lirisë. E reja ka lënë përkohësisht të Hënën ambientet e spitalit të Traumës ku është rikthyer sërish deri në fazën e rikuperimit të plotë, ku është aktualisht.
Akuzat e ngritura ndaj Gushollit janë‘heqje e lirisë ‘ dhe ‘plagosje e rëndë me dashje’, e në bazë të raportit mjeko-ligjor do shihet si do klasifikohet dhuna e ushtruar ndaj 28-vjeçares e më pas Prokuroria do marrë vendimin nëse do bëjë apo jo rikualifikim të veprës penale.
Daci raporton se Gusholli në deklarimet e tij të para në polici ka thënë se e ka kryer veprën penale për çështje xhelozie pasi dyshonte se 28-vjeçarja e kishte tradhëtuar. Gusholli rezulton person i skeduar për trafikim të lëndëve narkotike në Austri dhe Gjermani. Gazetarja bën me dije se ai ka lidhje familjare dhe me një personazh të njohur të botës, Gjergj Cukalin.
“Gusholli është person problematik pasi ai rezulton me emër të ndryshuar. Ka pasur deportime nga Austria dhe Gjermania që nuk e kanë lejuar të hyjnë në shtetin e tyre pasi është skeduar për çështje të trafikut të drogës, ai ka lidhje familjare dhe me një person të njohur të botës së krimit. Bëhet fjalë për të fortin e Myslim Shyrit, Gjergj Cukali, i cili vazhdon të jetë i arrestuar. Gusholli gjatë deklarimeve të para në polici ka pretenduar se gjithcka ka qenë për çështje xhelozie dhe se dyshonte se ajo dhe familja e kanë kallëzuar në Gjermani për dhunë. Përpos personave të arrestuar, është marrë në pyetje kurshërira e Gushollit për mënyrën si ajo e ka dorëzuar vajzën në spital. 4 të afërm të tjerë të autorit të ngjarjes e kanë ndihmuar për të fshehur mjetet me të cilat ai kishte goditur të renë, janë tashmë të arrestuar për moskallëzim krimi dhe mbështjetje të veprës penale”, raportoi gazetarja./tvklan.al