I mori jetën 26-vjeçarit në Itali/ Banorët duan të vritet ariu, por nuk i lejojnë

Autoritetet italiane janë në kërkim të një ariu që vrau një vrapues 26-vjeçar në rajonin verilindor të Trentino javën e kaluar. Funerali i Andrea Papit u bë të mërkurën. Ariu femër, 17 vjeçe që e vrau njihej si “JJ4” dhe u identifikua përmes testimit gjenetik. “JJ4” sulmoi një person dhe të birin e tij në qershor 2020. Autoritetet lokale lëshuan një urdhër për vrasjen e ariut në atë kohë, por ai u rrëzua nga një gjykatë.

Këtë herë autoritetet kanë zgjedhur të eutanizojnë ariun. “Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të gjetur ariun dhe për të garantuar sigurinë e banorëve vendas”, tha Maurizio Fugatti, presidenti i rajonit të Trentino.

Papi po vraponte në fshat kur u sulmua dhe u vra nga ariu, duke shkaktuar frikë tek banorët. Njerëzit në Trentino kanë shprehur ngushëllime dhe solidaritet me familjen e viktimës. Jashtë dritareve u vendosën qirinj si simbol zie ndërsa bashkitë lokale kanë ulur flamujt e tyre në gjysmështizë. Në fshatin Caldes, një turmë e madhe mbushën një kishë për të nderuar dhe për të ofruar mbështetje për familjen e viktimës në funeralin e tij.

“Fshati është i mërzitur dhe i zemëruar” – u tha gazetarëve jashtë kishës Antonio Maini, kryebashkiak i Caldes. “Na ka vdekur një djalë, jemi në zi, por jemi edhe të inatosur sepse ka vdekur nga sulmi i një ariu. Ngjarje që nuk duhej të ndodhte”. Incidenti ka rindezur debatin për bashkëjetesën e njerëzve dhe kafshëve të egra në zonë dhe ka ngritur pikëpyetje se si mund të balancohet më mirë nevoja për të mbrojtur speciet e rrezikuara me sigurinë e banorëve.

Arinjtë janë një specie e mbrojtur në Itali dhe popullsia e tyre është rritur në vitet e fundit për shkak të përpjekjeve për ruajtje. Megjithatë, prania e tyre në zonat e banuara mund të përbëjë rrezik për sigurinë njerëzore.

“Një administratë e ndërgjegjshme duhet të veprojë në përputhje me rregullat për mbrojtjen e biodiversitetit dhe nuk duhet të lëvizet nga një frymë hakmarrjeje” – shkruan Organizata Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Kafshëve (OIPA) në një deklaratë.

Ky lloj arinjsh u rifut në rajon rreth 2 dekada më parë. Që atëherë, popullsia e arinjve në Trentino është rritur nga 3 në afërsisht 100, sipas të dhënave të ofruara nga provinca. Pavarësisht shpresave se arinjtë do të përhapeshin nëpër Alpe, ata kanë mbetur kryesisht të përqendruar në Trentino.

“JJ4”, ariu përgjegjës për sulmin e fundit fatal ndaj të riut që vraponte ka lindur në Trentino. Prindërit e saj u sollën në zonë nga Sllovenia. Ministri i mjedisit i Italisë, Gilberto Pichetto Fratin, tha se arinjtë mund të zhvendosen në pjesë të tjera të vendit, nëse jo jashtë vendit, dhe vendasit mund të pajisen me sprej kundër agresionit.

“Arinjtë dhe ujqërit janë bërë problem për fermerët, mbarështuesit, banorët, turistët”, tha Reinhold Messner, një alpinist dhe eksplorues italian për gazetën e përditshme La Stampa. “Ne kemi nevojë për një kuadër rregullator të saktë, kështu që është e qartë se si të përballemi me situata të këtij lloji” – shtoi ai. ©LAPSI.al