Ardit Çuni: Duhet të isha fituesi i “Dancing with the Stars”!
Mund të themi pa frikë se Ardit Çuni shkëlqeu para pak muajsh në spektaklin e kërcimit “Dance with the Stars”. Ai ishte një nga pretendentët kryesorë për ta fituar këtë spektakël, pasi javë pas jave dhuroi për publikun performanca shumë të arrira. Arditi në një intervistë të dhënë së fundmi për revistën “Bordo”, ka folur për këtë eksperiencë ku nuk ka nguruar të shpreh edhe zhgënjimin pësoi. Këngëtari thekson se e meritonte fitoren, shto faktin që performancat e tij kanë qenë më të votuarat në pikët totale të jurisë në 13 javë.
“Unë fitoren time e kam marrë nga publiku, nga vlerësimet dhe nga arritjet në atë kompeticion, sa të bukur, po aq dhe të vështirë. Po u zhgënjeva, do të gënjeja nëse do të thosha ndryshe, mendoj që duhet të isha fituesi i këtij edicioni për vetë faktin e nivelit të lartë të performancave, dhe po ashtu për faktin që isha dhe vazhdoj të jem më i votuari në pikët totale të jurisë në 13 javë. Gjithsesi unë sërish mendoj që çdo gjë ndodh për një arsye dhe ndoshta nuk ishte ky momenti im për të marrë kupën.
Nëse do të thosha nga kush u zhgënjeva, padiskutim nga juria profesioniste që vetëm këtë mbiemër nuk e përfaqësuan siç duhet, e aq më tepër që dështuan në vlerësimin e tyre për një kompeticion ku derdhet djersë, mund dhe shumë punë. Në fund të gjithë këtij projekti më vjen keq për një gjë, të cilën nuk besoj t’ia fal ndonjëherë atyre, që shkelen mbi mundin dhe djersën time dhe të Jorës”, shprehet Ardit Çuni për “Bordo”.
I pyetur se çfarë i dhuroi eksperienca në spektaklin e kërcimit, këngëtari tha, “Përtej shakave, “Dancing with the Stars” më dhuroi një publik të jashtëzakonshëm, një adrenalinë konkurrimi të paprovuar më parë, më dha mundësinë të jem pjesë e një produksioni gjigant si rrallëherë në Shqipëri e gjithashtu pata fatin të dhuroj performanca që edhe në produksionet më të mëdha botërore do t’i kishin zili. “Dancing” ishte një tjetër pjesë e formimit tim artistik, që besoj edhe për publikun erdhi si një surprizë e bukur dhe mua më solli në formë me 7 kilogramë më pak”.
Bordo