A duhet të mërzitesh kur shoqja s’të poston në Instagram?

Rrjetet sociale janë një pjesë e rëndësishme e jetës sonë dhe Instagrami nuk bën përjashtim. Ne postojmë në Instagram për të treguar për veten, përvojat tona, në disa raste edhe miqtë. Por kur një mik a mikeshë nuk na poston kurrë në Instagram, a është arsye për t’u mërzitur?

Varet nga njerëzit dhe raporti. Për shembull, Kiara Tito tregoi hapur se një nga arsyet pse ajo mendonte se Efi nuk e kishte mbështetur rrugëtimin e saj në “Big Brother” ishte fakti që kjo e fundit nuk kishte hedhur një foto/video në Instagram Stories.

Një pjesë nga biseda mes ish-shoqeve:

Efi: “Kam qenë mbështetësja më e madhe e dashurisë saj.”
Kiara: “Ti?! Ti s’ke hedhur një Story me mua.”
Efi: “Pse duhet të hedh Story unë? Kështu e tregoj unë dashurinë? Unë kam hedhur kur na kanë bërë tag të dyjave.”
Kiara: “Se po bëjmë muhabet Instagrami tani, por realisht janë disa detaje të vogla, që ti shikon shumë gjëra.”

Kalojmë te pyetja: A duhet të mërzitemi nëse shoqja nuk na poston në Instagram?

Së pari, është e rëndësishme të kujtoni se Instagrami nuk është jeta reale. Vetëm se dikush nuk poston për ju në Instagram, nuk do të thotë se nuk e vlerëson miqësinë tuaj. Rrjetet sociale shpesh mund të krijojnë një pamje të shtrembëruar të realitetit dhe është e lehtë të mendodh se nëse diçka nuk postohet në Instagram, nuk ka ndodhur.

Së dyti, të gjithë kanë preferenca të ndryshme kur bëhet fjalë për rrjetet sociale. Disa njerëz preferojnë të mos postojnë shumë në Instagram ose mund të kenë arsye personale për të mos postuar për gjëra të caktuara. Vetëm se shoqja nuk poston për ty, nuk do të thotë domosdoshmërisht se nuk i intereson ti.

Së treti, ka rëndësi edhe komunikimi. Nëse ju shqetëson kjo çështje, bisedoni me miqtë. Ata mund të mos e kuptojnë se jeni lënduar. Por ju nuk mund të dilni në përfundime të nxituara, pa folur paraprakisht.

Së fundi, është e rëndësishme të mbani mend se rrjetet sociale nuk janë gjithçka. Vlera juaj si person dhe vlera e miqësisë me dikë nuk përcaktohet nëse poston për ju në Instagram. Ka shumë mënyra të tjera për të treguar se e vlerësoni miqësinë e dikujt.

Anabelmagazine