Baba Karlo përgatit dokumentat për pension

Baba Karlo po përgatit dokumentat për pension. Që në mëngjes shkoi te Sigurimet Shoqërore.

-Ç’punë ke bërë këto 30 vite? -e pyetën.

-Unë di veç të lyej dhe të shaj, -tha.

-Do të të dalë pension i vogël, -i shpjeguan.

-Si kështu? Unë jam usta, mjeshtër domethënë në lyerje e në sharje.

-Ky profesion rrogën bazë e ka të ulët.

-Pse?

-Se janë shtuar shumë ata si puna jote që lyejnë dhe që shajnë, -e ftilluan.

Iku në shtëpi i mërzitur. Gruaja u çudit nga shpjegimi i tij. E ndërsa po mendonin se nuk do ta mbyllnin muajin me aq pension lëmoshë që do merrnin i befi një ide në kokë.

-Grua, e gjeta si të marrim nga tre-katër pensione çdo muaj.

-Si?

-Do hedhim njerëz në gjyq e do të fitojmë miliona e miliona.

-Kë do hedhësh në gjyq, o mavriu ti?!

-Do dal çdo mëngjes te trotuari i pallatit. Ai fqinj që nuk më përshëndet do e padis për fyerje e tallje. Ose kush i bërtet qenit do e padis për sjellje barbare ndaj kafshëve. Ndërsa ata që flasin me zë të lartë në celular do i padis për prishje të qetësisë publike.

Atë çast fytyra i mori pamje triumfi dhe balluket e verdha ia kaloi mbi ballë një erë e lehtë që lajmëronte shi./CNA.al