Noizy: 7 prilli le të mbahet mend si dita e lançimit të albumit “ALPHA”!
Ekskluzive për revistën “Who”!
Një punë e nisur që në mesin e pandemisë e që tashmë është gati për t’u lançuar më 7 prill. Një album i ri, që si asnjëherë më parë ka jo pak por plot 22 këngë, të rrymave e stileve të ndryshme, Love/Story/Gansta/Jeten/Club/Reggea/AfroBeat… Mungon vetëm kënga popullore. Shumë bashkëpunime, me producentë e këngëtarë të suksesshëm. Mes tyre, e vetmja vajzë është Elvana Gjata, apo Eli G siç Noizy vetë kërkon ta quajmë, tashmë që e konsideron se pjesë të grupit. Ka shumë për të lexuar në këtë intervistë që Noizy jep për herë të parë, për ALPHA-n që s’është më thjesht një album, por një brand që u lançua me koncertin e madh në sheshin “Nënë Tereza”, traditë kjo që do të vijojë edhe këtë verë, në gusht, në stadiumin “Air Albania”, këtë herë.
Prej pak ditësh, në Instagramin tënd, më shumë se për çdo gjë tjetër ti po flet e po publikon pjesë nga albumi yt i ri “Alpha” i cili tashmë ka përfunduar. Por që kur e ke nisur punën për këtë album?
Kur gjithë bota u kap nga ethet e Covid-it, andej nga mesi i kësaj pandemie unë nisa punën për këtë album.
Fole shumë për këtë album edhe vjet në gusht, kur bërë koncertin e madh që pushtoi sheshin “Nënë Tereza” si anjëherë më parë. Madje edhe atij koncerti ja vure emrin “Alpha Show”, lidhur pikërisht më këtë album. Pse t’u desh kaq shumë kohë me e finalizua e me bë gati për publikim?
Gjërat e bukura duan kohën e tyre, pastaj fakti që janë jo pak por 22 këngë, një pjesë e të cilave janë bashkëpunime me kolegë, duhej të gjenim kohën të gjitha palët, për të hyrë në studio. E ka shumë dhe nga ato rastet që edhe kur gjeja kohë të hyj në studio, qëllonte që ajo s’ishte dita më e mirë për krijimtari dhe kështu del siç ke hyrë, pa bërë asgjë… e kështu të ze rrota bishtin dhe pa dashur gjëja zvarritet e zvarritet…
Me kë ke punuar për këtë album, pra kush i ka krijuar muzikën e tekstet?
Tekstet i kam shkruar të gjitha vetë. Për muzikën kam bashkëpunuar me të ndryshëm. Pjesën më të madhe të këngëve i ka realizuar producenti im Engli Versal, por ka edhe këngë të tjera, shumë të bukura nga producentë të tjerë të huaj por edhe nga trojet tona.
Te coveri i albumit që ke publikuar në Instagramin tënd duket se ke shumë bashkëpunime, si me Ylli Limanin, Mc Kreshën, Varrosin, Stinen, Camorrën etj… dhe e vetmja vajzë mes tyre është vetëm Elvana Gjata. Rastësi apo zgjedhje e jotja kjo?
Të lutem Elvanën duhet ta quajmë Eli G sepse është bërë pjesë e grupit. Nuk kishte shance të mungonte Eli G në një album që quhej “ALPHA”, “she is a real ALPHA”. Pavarsisht të kaluarës unë gjithmonë kam gëzuar respekt dhe dashuri për ikonën e muzikës shqiptare, sepse të mbijetosh në një treg ku talentet e reja dalin çdo vit nuk është gjë e lehtë. Elvana është shembulli perfekt për t’u marrë. Punon fort, është e dedikuar dhe superprofesioniste.
Çfarë sjell ndyshe në treg, krahasuar me krijimet e deritanishme ky album?
Si fillim është numri i këngëve. Siç e thashë dhe pak më lart janë plot 22 këngë në një album, gjë që s’ka ndodhur ndonjëherë më parë. Asnjëra prej tyre nuk është bërë shkel e shko sa për të plotësuar numrin. Për secilën prej këngëve ka patur superpërkushtim si për muzikën ashtu edhe për tekstin, MixMaster etj. Ka dhe një tjetër të veçantë ky album, se më kujton album tim të parë “Pak ndryshe”.
Si është Noizy te ky album më romantik, më i zbutur apo më ALPHA man?
Noizy është ALPHA në çdo sekond të jetës. Ndërsa te ky album, besoj janë të gjitha stilet e rrymat e këngëve. Ka këngë Love/Story/Gansta/Jeten/Club/Reggea/AfroBeat… dmth të gjitha. E vetmja gjë që s’kam bërë te ky album është popullorja.
Të shijon më shumë procesi i punës në studio apo kur ke finalen dhe e dëgjon, e pastaj e këndon në skena koncertesh?
Hmm, të dyja rastet kanë lezetin e vet. Në studio ti mbjell fidanin ndërsa në skenë ia merr frutat pemës.
Besoj rri gjatë në studio? E meqë ra fjala, ku është studio e Noizy-t, pra ku punon dhe si ndihesh ti kur rri aty brenda?
Studio ime është në kokën time, si një orkestër gjigande që vetëm punon e punon, ditë e natë pa ndalim. Ndërsa studion fizike e kemi, padiskutim në Durrës, ku mblidhemi pothuajse çdo natë dhe aty merr drejtim gjithçka.
A do të na rrëfesh disa kujtime, momente të bukura nga puna në studio për këtë album?
Por, përshembull një video që është bërë viral në “Tiktok” dhe kudo “JM2”. Në fakt ajo video është momenti i parë kur unë po hidhja vokalin e këngës dhe Varrosi e kishte inçizuar dhe ma tregoi. Unë nga qefi e postova dhe direkt ajo u bë virale, mirëpo ajo kënga që ishte vetëm si demo, filloi të më jepte ankth nga pritshmëritë që u rritën nga fansat. Më bëri të tmerrohem, sepse njerëzit prisnin këngën që ne akoma s’i kishim bërë as gjysmën. S’ta kupton dot njeri se çfarë presioni ke kur vihesh para përgjegjësisë të ribëja një këngë legjendare që është krijuar në vitin 2009. Duhej të kisha parasysh tekstin, të mendoja si atëherë, të kishte pak humor pak karagjozllëk, pra, të gjitha bashkë… ndërkohë në mendjen time ishte lemeria “obobo” erdhi data si do ia bëj. Kështu që një natë qëndrova zgjuar e duke punuar në studio deri në 7 të mëngjesit, dëgjova “Jena mbretër 1” me shumë vëmendje dhe thashë me vete “Çne ti me këto tekste në vitin 2009… shaka se unë duhet të shkruaj tekst, sikur s’kam asgjë, vetëm muzikën. Dhe ashtu ja dola dhe besoj se “JM2” do të ketë super impakt te njerëzit. Do të bëhet si “JM1”. Jam shumë i sigurt për këtë.
Disa këngë, siç ishte “Fatos Nano” i ke lancuar më përpara, pse?
Sepse duhen disa këngë që të publikohen para albumit për reklamë, pastaj dhe për t’i treguar gjeneratës së re se “baba” është këtu, si për Drill, si për StreetRap apo për Dancehall ose Afrobeat.
Data 7 prill do të jetë lancimi në “Youtube” i të gjitha këngeve. Pse zgjodhe datën kur Shqipëria është pushtuar nga italia fashiste?
Që të harrohet ajo datë. Le ta ndërrojme, e ta mbajmë mend datën 7 prill, si ditën kur në Shqipëri ndodhi një ngjarje e madhe, u lancua albumi “ALPHA”.
Të gjithë e dimë tashmë se ALPHA s’është më thjesht një album por një brand që u prezantua në gushtin e vitit që shkoi me koncertin gjigand. A do të ketë një “Alpha Show 2” këtë vit? Nëse po, çfarë do të ndodhë këtë herë?
“ALPHASHOW 2” do të jetë padiskutim edhe këtë verë, me 04/GUSHT në Stadiumin AirAlbania. Do të keni surprizën më të bukur, ju premtoj!