2 të rinjtë “heronj” në Greqi/ Shpëtuan 26 pasagjerë nga përplasja e trenave
“Nuk mendoja për asgjë tjetër veçse të ndihmoja bashkëqytetarët e mi”. Me këto fjalë, 18-vjeçari grek Angelos Tsiamouras përshkruan për gazetën “Peloponnisos” atë që po i kalonte në mendje teksa përpiqej të ndihmonte njerëzit në trenin me pasagjerë që u përplas me një tjetër tren komercial mbrëmjen e së martës.
Gjatë fundjavës, 18-vjeçari kishte qenë në Patra me shoqërinë e tij, Por fati e solli ballë për ballë me vdekjen. Ai ishte në vagonin nr.6 të trenit të pasagjerëve. “Ndiem tre goditje, njëra më e dobët se tjetra dhe e kuptuam menjëherë rrezikun ku ishim”, – tha ai.
“Nuk mendoja asgjë tjetër, përveçse duhej të ndihmoja njerëzit e mi. Së bashku me mikun tim Giorgos vrapuam tek vagonët 3 dhe 4 për të shpëtuar sa më shumë njerëz dhe së bashku me ekipet e shpëtimit arritëm të nxjerrim 16 persona. Gjithçka që mund të mendoja ishte se duhej të shpëtoja një person më shumë. Asgjë tjetër!
Në vagonin nr.3 pamë shumë të vdekur. Nuk mund të bëja, për fat të keq, shumë gjëra. Zjarri ishte përhapur. Vagoni nr.1 u shkatërrua menjëherë, vagoni nr.2 u shkrumbua nga zjarri. Unë nuk jam hero, mos më quani kështu. Unë thjesht po bëja detyrën time, ndaj shokëve të mi. U shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave. Shpresoj që tani shteti të marrë përgjegjësitë e tij, në mënyrë që tragjedi të ngjashme të mos përsëriten në të ardhmen” – tha i riu.
“Ishte si një ferr i zjarrtë” – tha 18-vjeçari. Por ai nuk ishte i vetmi hero i kësaj tragjedie.
Mediat greke kanë zbuluar edhe rastin e një 20-vjeçari që ka mundur të thyejë vetë xhamin dhe të shpëtojë të paktën 10 të rinj, djem dhe vajza. Andreas Alikaniotis doli thuajse i padëmtuar nga vagoni i dytë dhe duke sfiduar rrezikun, zjarrin e madh që shpërtheu pranë tij, donte të shpëtonte njerëzit. Dhe ia doli.
Nga aksidenti humbën jetën 47 persona. Kërkimet vijojnë për të tjerë viktima. ©LAPSI.al