Rudina Xhunga: “Kur pashë doktor Piperon në atë gjendje, ndjeva pafuqinë e një njeriu pavarësisht pelerinës që mban”
Bëri xhiron e rrjetit lajmi se në urgjencën e QSUT u transportua për të marrë shërbim mjekësor të menjëhershëm, doktor Pëllumb Pipero. Pipero kishte pësuar një goditje AVC, Aksident Vaskular Celebral dhe kreu një ndërhyrje që fatmirësisht shkoi shumë mirë.
Gazetarja Rudina Xhunga ishte dëshmitare në shtrimin e tij në spital dhe në rubrikën “Komenti i Ditës” në “Dritare TV”, gazetarja tregoi për këtë moment. Ajo thekson nevojën që ndjeu sot pas atij momenti, për të folur për jetën, të cilën, e kemi në dorë të mjekëve, për të cilët thotë se i vlerësojmë ende shumë pak.
“Sot dua të flas për një temë të rëndësishme, siç është jeta e njeriut. Shëndeti është i pari. Shqipëria është një vend i varfër, por në ndryshim dhe në zhvillim. Unë sot isha në urgjencën e QSUT e cila ishte plot. Shkova për arsye personale, por eksperiencën dua ta ndaj me ju.
Mjeku që më priste, nuk më njohu. Ishte i rrethuar nga pafund njerëz që kërkonin ndihmë. Pashë zonja dhe zotërinj të preokupuar. Urgjenca është moderne, të gjithë janë të përkushtuar, me kushte tejet të mira, por me shumë njerëz që kërkonin shërbim. Që në fakt e marrin dhe e marrin falas. Më pas zgjedhja për bakshishe, është në dorë të gjithkujt.
Diçka tjetër që më bëri shumë përshtypje ishte një moment kur në urgjencë, pati një rast të rëndë. Unë po qëndroja mënjanë, kur mjekët më lanë mua dhe shumë të tjerë, për të vrapuar drejt një pacienti që erdhi në atë moment me nxitim. Kishte shumë njerëz që e shoqëronin, qanin, merrnin gjak. Disa mjekë u mblodhën rreth tij dhe ndërsa pyeta se kush ishte pacienti. Më thanë një burrë rreth të 60-tave, por jo më shumë se kaq.
Kur e nxorën me shenja jete, pashë portretin e tij, të një njeriu që na ka ndihmuar, dhënë shpresë. Ai është portreti i kohërave tona të kovidit, Pëllumb Pipero. Kur e pashë në atë gjendje, ndjeva pafuqinë e një njeriu pavarësisht pelerinës që mban, dijeve që ke.
Pipero ishte një imazh i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët gjatë kovidit. U luta për jetën e tij dhe uroj që shumë njerëz që ai ka ndihmuar, u ka mbajtur mendjen në kohën e kovidit, të luten për jetën e tij.
Më pas m’u desh të ecja në një pavion ku kishte ende tufa lulesh për dy mjekë të rëndësishëm të endokrinologjisë që kanë ndërruar jetë, doktor Gerond Husi dhe Thanas Fureraj. Aty ndjeva nevojën për të folur dhe për të mos folur për politikë, pasi ne kemi një problem shumë të madh që është jeta. Dhe ne në Shqipëri, nuk flasim për jetën. Askush nuk flet për jetën, që e kanë në dorë këto njerëz, që janë doktorë të jashtëzakonshëm në Shqipëri. Por ne nuk i vlerësojmë, nuk i jemi mirënjohës dhe nuk e kuptojmë që është një luks i madh që i kemi. Kjo është tema që dua të komentoj me forcë, nevoja për të thënë që po është e vërtetë, shëndetësia është falas. Po, është e vërtetë, ka ndryshuar gjithçka në sistemin spitalor. Nuk njihet infektivi. Nuk njihet Urgjenca. Por problemi është që nuk ka ndryshuar asgjë në trajtimin e mjekut. Mjekët shqiptarë janë një luks i madh, që po na e marrin. Prandaj ajo për të cilën duhet të mendojmë tani, më tepër se për kushtet dhe transformimin e QSUT nga një vend ku thoshe më mirë po vdes në shtëpi se sa në urgjencë, janë mjekët shqiptarë”.