Në Sanremo 2023 u imitua, Ibrahimovic ngacmon Amadeus: “Edhe pa mua nuk shkuat keq”

Ditën e djeshme Festivali Sanremo 2023 u mbyll me fitoren e Marco Mengoni me këngën Due Vite. Por protagonisti i madh i eventit ishte gjithashtu, e mbi të gjitha, moderatori Amadeus, i cili arriti të bënte shifra monstruoze. Shikueshmëria e finales theu rekordin e audiencës së viteve të fundit të festivalit të këngës. Komplimentet për drejtuesin sicilian erdhën nga të gjitha anët. Madje edhe nga Ibrahimovic, i cili bëri shaka me të në Instagram.

Në fillim të mbrëmjes ‘Gli Autogol’ ngjitën në skenën e Ariston imitimin e kampionit suedez, duke kujtuar praninë e tij dy vite më parë si i ftuar special në festivalin Sanremo 2021. Ibra atëherë mori duartrokitjet e të gjithëve, duke arritur të futej mirë në një rol jo të tij. Epike ishin ngacmimet me Amadeus, një tifoz i njohur i Interit. E sulmuesi i AC Milan theksoi vazhdimisht “festivali shkoi mirë falë meje”. Festivali këtë vit shkoi shumë më mirë dhe për këtë arsye Ibrahimovic e komplimentoi Amadeus në historitë në Instagram: “Edhe pa mua nuk shkuat keq. Numri 1 Amadeus“.

MONOLOGU I IBRAHIMOVIC NË SANREMO

Në Festivalin 2021, Ibrahimovic dhuroi një monolog të bukur që u bë menjëherë viral në rrjetet sociale. “Pse është Ibrahimocic në Sanremo? Sepse i pëlqejnë sfidat, adrenalina dhe i pëlqen të rritet – tha ai duke folur për veten në vetën e tretë -. Nëse nuk e sfidoni veten, nuk mund të rriteni. Kur sfidon është si të dalësh në fushë. Dhe kur të dilni në fushë, atëherë mund të fitoni ose të humbni. Kam luajtur 945 ndeshje, kam fituar shumë, por jo të gjitha. Por dështimi nuk është e kundërta e suksesit, është pjesë e suksesit. Të mos bësh asgjë është gabimi më i madh”.

Më pas komenti i fundit: “Unë do të them një gjë: nëse Zlatan gabon, mund të gabosh edhe ti. E rëndësishme është të bësh diferencën çdo ditë. Impenjim, përkushtim, këmbëngulje, përqendrim. Kam organizuar këtë Festival për t’ju thënë se secili prej jush mund të jetë Zlatan në mënyrën e vet të vogël. Ju jeni të gjithë Zlatan dhe unë jam ju. Dhe ky nuk është Festivali im apo i Amadeus, por është i juaji. Ky Festival i përket gjithë Italisë. Faleminderit Itali, shtëpia ime e dytë”.