Çfarë e shtyu Luizin të thoshte se ka tumor? Përgjigjet psikiatri i njohur

Rrëfimi i Luizit është tema më e diskutuar që prej mbrëmjes së djeshme. Por çështje të tilla duhet të komentohen me profesionalizëm. Duke dashur të japë kontributin e vet shkencor në këtë drejtim, psikiatri Sadik Lala mundohet ta shohë në këndvështimin mendor situatën e Luisit, çfarë mund ta ketë shtyrë atë të bëjë këtë rrëfim.

Ja mesazhi i psikiatrit:

“ÇFARË MUND TË KETË PSIKOLOGJIKISHT LUISI I BIG BROTHER…? Këtë pyetje ma bëri Klodi, një mik virtual në privat. Një info-shpjegim për Klodin dhe për ju miq:

I dashur Klodi, më detyrove të ndjek situatën në Big Brother.

Çrregullimet psikologjike-psikiatrike zakonisht janë situata komplekse, në të cilat kërkohet një vlerësim shumë i kujdesshëm shumëplanësh, vlerësim mjekësor dhe psikologjik gjithnjë me personin përballë teje dhe jo në distancë.

Natyrisht, kafeina dhe pijet energjike ndikojnë shumë në shfaqjen e ankthit dhe luhatjeve të humorit.

Shkurtimisht po postoj një info konciz nga këndvështrimi profesional, pa u marrë me kuriozitetin tënd në detaje, (sepse pjesëmarrësit në Big kanë një panel mbikqyerje shumë të nderuar për të hulumtuar çështjen).

Çdo profesionist i shëndetit, veçanërisht psikiatrit, por edhe psikologët klinikë kanë njohuri më të thelluara mbi të ashtuquajturën sindromi i studentëve apo punonjësve të mjekësisë (dhe jo vetëm).

Kjo sindromë manifestohet me frikë të vazhdueshme se mos ke ndonjë sëmundje serioze apo mos ‘të shfaqet’ një gjë e tillë. Zakonisht ndodh pasi personi ka qenë në kontakt me dikë që vuan nga ndonjë sëmundje e rëndë.

Ky fenomen konsiderohet sporadik dhe jo çrregullim (sëmundje), nëse kjo frikë zgjat më pak se 6 muaj dhe gjithnjë nëse nuk ka asnjë të dhënë laboratorike apo ekzaminim mjekësor që të justifikojë një shqetësim të tillë.

Ky çrregullim është një paraqitje specifike si një nëntip i asaj që njihej deri në vitin 1994 (në manualin diagnostik DSM IV) si hipokondri ose hipokondriazë.

Kjo gjendje karakterisohet nga dy specifika:

– Disa persona e manifestojnë me shmangie të ekzaminimeve dhe kujdesit shëndetësor.

– Disa të tjerë bëjnë analiza të pafundme për të vërtetuar të kundërtën e frikës ekstreme nga sëmundja “imagjinare”.

Kjo gjëndje mund të shfaqet në shumë rrethana të ndryshme, por gjithmonë karakterizohet nga nivele të larta ankthi dhe frike për sëmundjen.

Si çrregullimi i ankthit të sëmundjes, edhe çrregullimi i simptomave somatike klasifikohen qartë në manualin diagnostik më të fundit DSM-5-TR™ (Botimi i 2022, © i Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë, me kodin diagnostik; F45.21, dhe përshkruhen qartë kriteret diagnostike në faqen 357).

Kjo diagnozë ka një dallim esencial nga një çrregullim tjetër i ngjashëm që quhet OCD (çrregullimi obsesiv kompulsiv), tek i cili preokupimet shëndetësore, mendimet zakonisht përqendrohen thjesht në frikën se mos i shfaqet një sëmundje në të ardhmen.

I dashur Klodi, siç ju thashë edhe më lart; diagnoza mjekësore, veçanërisht ajo psikiatrike, kërkon kohë dhe personin përballë për të bërë një vlerësim të saktë.

E TONIZOJMË SITUATËN ME PAK HUMOR APO GROTESK PËRDITSHMËRIE…

Mos të harrojmë se në Big Brother dhe në politikë… çfarë nuk ndodh”.