“Policë për kokë”: Gjithçka duhet të dini para premierës së filmit më të shumëpritur të vitit!
Që prej njoftimit të parë gjatë verës së vitit që lamë pas, “Policë për kokë” rrëmbeu kureshtjen e të gjitha mediave dhe shikuesve për shkak të bashkimit më të papritur në kinemanë shqiptare: atë të komedianit Olsi Bylyku dhe aktorit të suksesshëm Nik Xhelilaj. Pas muajve plot me ngacmime në faqen zyrtare të filmit në Instagram, më në fund do të mund ta shihni atë në të gjitha kinematë nga data 12 janar!
Para se të rrëmbeni kokoshkat dhe të shijoni komedinë më të mirë shqiptare që keni parë prej shumë kohësh, ne kemi përpiluar një listë me informacione të cilat duhet t’i dini patjetër…
1. Aldo Marku ka qenë regjisor i disa prodhimeve që kanë fituar çmime.
Skenaristi dhe regjisori Aldo Marku njihet në rrethin e kineastëve si një dalë i ri tejet ambicioz i cili pëlqen shumë të eksperimentojë me zhanret e ndryshme. Ai veçanërisht ka shënuar historinë në “48hoursfilmproject Tirana” duke triumfuar me disa vlerësime, si ‘Best Directing’, ‘Best Acting’, ‘Best Cinematography’, ‘Best use of line’ dhe ‘Audience Award’ për filmin “Once upon a time in Albania” në vitin 2021, si dhe fitues i ‘Best Directing’ & e ‘Best Cinematography’ për filmin “Big Fish”.
2. Olsi Bylyku nuk i tregoi askujt që ishte bashkë-producent.
Sapo sheh posterin e “Policë për kokë” të bie në sy që emri i aktorit Olsi Bylyku nuk shkruhet një, por dy herë! Komediani 24 vjeçar vjen edhe si bashkë-producent i filmit, por ky informacion është mbajtur i fshehtë gjatë xhirimeve në mënyrë që të mos ndikonte tek statusi i tij në set në raport me stafin dhe kolegët. Epo, le të themi që tashmë sekreti ka dalë në shesh të burrave.
3. Nik Xhelilaj nuk do të kishte këtë rol.
“Policë për kokë” shënon rikthimin e Nik Xhelilaj, i cili i mungonte ekranit shqiptar. Aktori prej vitesh jeton midis Berlinit dhe Stambollit, duke ndërtuar një karrierë ndërkombëtare me prodhime të suksesshme. Por, personazhi që do e rikthente në kinematë shqiptare për pak nuk do të ishte ai i dedektivit Maksimilian Murati, por i antagonistit të filmit, mafiozit Fiorentino. Ne jemi të lumtur ama që Niku në fund zgjodhi të ishte Maks, pasi nuk mund ta imagjinonim dot ndryshe këtë dyshe eksplozive!
4. Filmi është plot-e-për-plot me emra të njohur.
Kasti i “Policë për kokë” sjell një miksim të disa prej emrave më të njohur të kinemasë shqiptare dhe atyre të medias. Alfred Trebicka, Arben Bajraktaraj (Marko në “Taken” apo Dolohov në “Harry Potter”), Sara Kolami, Emiljano Bufazi, Ervis Bici (Kampioni Europian i Muay Thai), Besnik Tefallari (sozia e Jason Statham), Urim Aliaj, Eva Murati, Bujar Asqeriu, Gert Ferra, Klodian Hoxha, Arjeta Dhima, Amber Candy, Kamber Mici, Ergi Bardhollari, Solo, e shumë të tjerë i janë bashkuar këtij projekti duke sjellë kastin më të larmishëm në histori!
5. Filmi është realizuar nga gjenerata e re e industrisë së kinemasë.
Mjafton të shohësh trailer-in dhe menjëherë e ndjen që ky film nuk është aspak si të tjerët. Fryma e re e “Policë për kokë” nis që nga ekipi i saj realizues, ku të gjithë i përkasin gjeneratës më të re të industrisë së kinemasë profesioniste. Fakt ky që na jep shpresë për prodhime të tjera po kaq cilësore dhe argëtuese në të ardhmen.
Mos e humbisni “Policë për kokë” nga data 12 janar, në rrjetin e kinemave Cineplexx në Shqipëri dhe Kosovë, Kinema Millenium në Shqipëri, Kinema Rozafa Elbasan dhe Cinemarine në Prizren!
View this post on Instagram
Anabelmagazine