Kompozitori shpërthen kundër Elsa Lilës, Capital T dhe RTSH-së: ‘Mos ma bëni pis këngën’

Kompozitori Valentin Veizi kritikoi Elsa Lilën, reperin Capital T dhe Radio Televizionin Shqiptar për versionin e ri të këngës “Pyes lotin” në natën e nostalgjisë në “Festivalin e Këngës”, një natë kushtuar disa prej hiteve të festivalit ndër vite.

Veizi, i cili kompozoi këngën “Pyes lotin” që fitoi vendin e parë në Festivalin e 35-të të Këngës, kënduar nga Elsa Lila, shprehet i indinjuar për mënyrën si Lila dhe Capital T ndryshuan këngën, si edhe për faktin që askush nuk e kontaktoi paraprakisht.

“Sot kam marrë shumë mesazhe e telefonata nga shokë e miq, dashamirës e simpatizantë të muzikes sime të indinjuar në lidhje me një variant të këngës “Pyes Lotin” që është kënduar nga Elsa Lila edhe Capital T në natën e tretë të Festivalit 61 të RTSH-së. Duke qenë se s’kam patur mundësi të ndjek festivalin, e kërkoj edhe e dëgjoj në YouTube këngën, më bën përshtypje (indinjuan) dy gjëra: E para, nuk e di kush ka marrë guximin e ka pasur kurajon të ma bëjë “pis” këngën time. Mirë që nuk kanë aftësinë profesionale për të “rifreskuar” apo të sjellin ndryshe një këngë, por këta nuk kanë as edukatën edhe as respektin të paktën të kontaktojnë për të marrë lejen e autorit.” – shkruan ai.

Më tej shton:

“Së dyti: Ti (kushdo) mund të rikëndosh një këngë, por nuk ke asnjë të drejtë të ndryshosh e të denigrosh këngën pa lejen e autorit, (kompozitorit). Më lini t’ua them troç edhe njëherë Lilës edhe Capitalit, modeli i këngës që ju sollët është modeli se si mund të denigrosh, shpërfytyrosh një këngë aq të bukur si kënga “Pyes Lotin”, prandaj do t’i lutem Radio Televizionit Shqiptar ta heqë nga çdolloj transmetimi këtë variant të shëmtuar!”

Anabelmagazine