‘Festivali i Këngës’: Njerëzit po e adhurojnë këngën e Elsa Lilës, edhe pse nuk i kuptojnë tekstin
Njerëzit duket se e patën pak të vështirë të kuptojnë tekstin e këngës me të cilën Elsa Lila konkurron në “Festivalin e Këngës”, por kjo nuk i ka penguar që ta pëlqejnë, madje në shumë komente e cilësojnë edhe si këngën që duhet të përqafojë Shqipërinë në Eurovision.
Elsa Lila u rikthye në Festival me “Evita”, një këngë e shkruar dhe kompozuar nga vetë ajo, e cila i dedikohet të bijës.
“Të jep qetësi shpirtërore dhe mendore. Diçka kaq qiellore dhe hyjnore,” shkruan dikush.
“Mënyra se si e solli këngën ishte kaq e veçantë! Duke i shprehur dashurinë ndaj Evitës, Elsa vendosi që tingujt të krijojnë melodinë në sfond. E kjo i jep kuptimin thënies ‘Dashuria nuk përshkruhet me fjalë’,” shkruan një tjetër.
Për disa, kënga është himn për procesin e lindjes: “O Evita, sa të prita” dhe “mungon që tani” (fakti që pas lindjes nënës i mungon menjëherë fëmija). Teksi:
“Evita,
sa të prita,
Unë dhe drita
Erdhi ti nga errësira
Erdhe ti nga hapësira
Hapet nata
Ndizet dielli
Hapet qielli
Evita,
Më mungon që tani.”
Elsa Lila e ka fituar dy herë “Festivalin e Këngës”, me “Pyes lotin” (1996) dhe “Larg urrejtjes” (1997).
Anabelmagazine