Të shtunën nis BBV2, zbulohen 6 konkurrentët e parë
Top Channel po vazhdon të sjellë projekte nga më të ndryshme televizive që i kanë mbajtur njerëzit të ‘gozhduar pas ekranit’. Pas edicionit të parë të “Big Brother VIP” që padyshim ishte aq i suksesshëm sa jehona e personazheve vazhdon edhe sot, sektori i spektaklit dhe argëtimit është mbuluar më së miri edhe nga “Për’Puthen”, “Më lër të flas“, “S’e luan topi” apo edhe “Dancing With The Stars“, që është kthyer në show-n më të ndjekur tanimë.
E teksa këtij të fundit është duke iu afruar finalja dalëngadalë, në Top Channel ka nisur prej kohësh puna për edicionin e dytë të “Big Brother VIP”. Tashmë është mësuar dhe data e fillimit të këtij spektakli, që është më 24 dhjetor dhe ajo që dimë është se do të jetë një spektakël i vërtetë, që ashtu si vitin e kaluar pritet të thyejë çdo rekord shikueshmërie.
Sa i përket konkurrentëve që do të hyjnë në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, ende nuk dihen të sigurtë. Megjithatë, kohët e fundit kanë qarkulluar shumë emra të mundshëm. Ndër to përmendim Kiara Tito, Eva Alikaj, Gent Hazizi, të cilët ishin ndër personazhet e parë që u përfolën se do të ishin banorët e ardhshëm në “BBV”.
Po ashtu është diskutuar shumë dhe për koreografin Albi Nako, Amos Zaharia e së fundmi Olta Gixharin, për të cilën është thënë së fundmi se ka lënë Spanjën, ku jeton prej pak kohësh me familjen e saj, për t’iu bashkuar kastit të “Big Brother VIP” në garën për çmimin e madh. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ka konfirmuar apo mohuar zërat, duke na shtuar akoma dhe më shumë kuriozitetin.
Na mbetet të presim edhe fare pak ditë për të zbuluar çdo copëz të këtij ‘puzzle’-i dhe të ‘fiksohemi’ sërish pas këtij ‘reality show’ me përmasa gjigante. Vetë moderatorja Arbana Osmani e ftuar një muaj më parë në “Wake Up” ka zbuluar pak detaje lidhur me “Big Brother VIP”, ku ka thënë:
Kemi kërkuar personazhe dhe karaktere që njerëzit të afeksionohen pas tyre. Edhe në edicionin e prë, publiku e ndiqte sepse u pëlqenin personazhet, jo skandalet. Ndryshe nga viti i kaluar janë personazhe më të njohur dhe kanë karriera më aktive dhe më të gjata. Ka një konkurrencë shumë më të madhe se kush do të hyjë, nga viti që shkoi. Kemi gati një edicion të ri me një kast të shkëlqyer që mbase do t’i lënë në hije ata të edicionit të kaluar.