Të vërtetat e mbretit Jim
Me të mbushur 18 vjeç dhe pasi mbaronin fakultetin, të gjithë djemtë kërkonin nga prindërit një makinë të re ose veshje të modës së fundit. Ai jo: ai donte nga babai ynë veprat e plota të Niçes». Siç u ka hije heronjve të përjetshëm dhe perëndive të rëna, Jim Morrison, më shumë se pesëdhjetë vjet pas vdekjes së tij, duket se është përgjithmonë 27 vjeç. Por lideri i The Doors ishte gjithashtu një fëmijë i klasës së mesme amerikane, djali i një admirali, një adoleshent i shqetësuar, sepse ishte gjithmonë në lëvizje prej punës së babait, përpara se të bëhej djaloshi përfundimisht rebel që të gjithë njohim. Portreti i gjallë i mësipërm vjen në fakt nga Anne Morrison Cheuning, motra dhe e vetmja në jetë që kishte ruajtur marrëdhëniet me vëllanë, pasi ai u bë i famshëm: Jimit i pëlqente të thoshte, në intervista të ndryshme, se prindërit kishin vdekur.
Dhe është vetë Anne, tashmë mësuese 75-vjeçare në pension, e cila së bashku me mikun e përjetshëm të këngëtarit, fotografin Frank Lisciandro, redaktuan serinë monumentale: Të gjitha shkrimet e Jim Morrison, poezitë, ditarët, shënimet dhe tekstet.
Janë 582 faqe të nxjerra nga 28 fletoret dhe materiale të tjera të ndryshme që i përkisnin Jimit, të shkruara, gjatë ekzistencës së tij të shkurtër, kudo që mundi, fletë gazetash, shënime hoteli, shami e peceta. Në synimin e pangopur për të demonstruar gjithmonë një supozim: Mbreti Hardhucë me pantallona lëkure të ngushta, seks-simboli i dëshiruar nga mijëra adoleshentë, në fakt nuk e konsideronte veten këngëtar, një yll rocku, por shkrimtar.
Kënaqësia e tij më e madhe, në katër vitet e trazuara, nga 1967 deri në 1971, që do ta çonin nga lavditë planetare të Light My Fire drejt vdekjes në një vaskë pariziane, ishte në fakt botimi, me emrin e tij të plotë, James Douglas Morrison, i dy libërthave me poezi, midis 100 dhe 500 kopje, “Krijesat e reja” dhe “Një lutje amerikane”. “Të gjitha këto shënime i gjetëm me shënimin ‘projekte për një libër’. Tani ia plotësuam dëshirën”, thotë sërish motra. Dhe, duke bërë një hap prapa në vitet e kolegjit, ajo kujton: “Vëllai im lexonte gjithmonë dhe çdo mundësi ishte e mirë për të blerë një libër ose për të lënë mësimet dhe për t’u futur në një bibliotekë, për t’u zhytur në autorët e tij të preferuar”. Dhe është një panteon shumë i saktë, ai i Jimit: Rimbaudi, Bodleri, Molieri, Balzaku dhe Floberi, klasikët grekë, nga Sofokliu te Plutarku por edhe bashkëkohësit amerikanë, mjeshtrit e beat-it Jack Kerouac, Allen Ginsberg, Gregory Corso dhe Laërence Ferlinghetti. Një panteon që më pas do të linte shenjë në tekstet e pavdekshme të The Doors (një emër i krijuar gjithashtu prej tij, nga Aldous Huxley dhe dyert e tij të perceptimit).
“Kur, për shembull, tek kënga “The End”, Jim thotë se dëshiron të vrasë të atin dhe të bëjë dashuri me nënën e tij, ai i referohet Edipit Mbret të Sofokliut, sigurisht jo prindërve tanë të vërtetë”, thekson sërish Anne. Po, Jim nuk donte të vriste babanë e tij admiral (i cili shfaqet në shumë foto të papublikuara në vëllim, foto nga borgjezia e vogël amerikane, mbrëmje mature, formalizmat me kostum dhe kravatë), por përplasja me të është epike. Përplasje mes brezave të Shteteve të Bashkuara të viteve ’60: ushtria drejton manovrat në Tonkin, Vietnam, ndërsa djali këndon një nga himnet më të mira antimilitariste të krijuara ndonjëherë, “Ushtari i Panjohur”.
Me Jimin, të cilin kur ishte gjallë madje e bëri lanet, do të pajtohej vetëm pas vdekjes, kur ndër të tjera, pasi heroina mori edhe shoqen e tij, Pamela Courson, do të bëhej për ironi të fatit, së bashku me prindërit e saj, trashëgimtari i vetëm i pasurisë së këngëtarit. “Kishte një moral të tijin, ndoqi rrugën e tij deri në pasoja ekstreme, do të kisha dashur ta njihja më mirë”, do të thoshte më vonë admirali plak, duke mos u fshehur lotët në një prej intervistave të fundit para se të vdiste, në vitin 2008 në moshën 90 vjeç.
Një marsian
Por për atë Jim që ai nuk e njihte, momenti i sfidës më të madhe ndaj establishmentit (dhe për rrjedhojë ndaj babait të tij) ndodh kur, më 1 mars 1969, ul pantallonat para një publiku në Miami, tregon organet e tij gjenitale dhe i fyen ata: “Grusht idiotësh të ndyrë, tufë skllevërsh”. Është fillimi i fundit dhe asgjë nuk do të jetë më njësoj për këngëtarin: ai merret nga policia dhe akuzohet për akte të turpshme. Më 10 gusht 1970 hapet procesi, përsëri në Miami: Jim mban shënim gjithçka që ndodh, duke kthyer portrete të gjalla të jurisë, ekzaktësisht në të kundërtën, “Z. A. veteriner, ish trajner i kuajve të garës” ose “Zonja D, shtëpiake, fustan blu i ndezur”. Duket si një marsian, Jimi, në ato sallat e gjyqit, duket qartë nga shënimet, të pranishme në vëllim: do të dënohej me gjashtë muaj dhe vetëm një garanci prej 50,000 dollarësh do të shmangte burgun.
Një marsian që bën autostop. Në libër është edhe skenari i albumit ku ai shfaqet si një nomad nëpër rrugët ë Los Angeles. Skenari është pak i çuditshëm, vrasje misterioze, vizione ëndërrimtare, dhe fundi në vendin e tij të preferuar, barin “Whiskey a Go Go” në Sunset Strip. “Një lloj ushtrimi për mua, një nxemje për diçka më të madhe”, do të thoshte ai vetë në një prej intervistave të fundit. Ajo gjëja më e madhe nuk do të ndodhte, por një prej poezive që la pas, duket se shpreh gjithçka:
“Më vjen keq për netët dhe vitet e hedhura tutje / pas katër vitesh ndihem si një çekan i rraskapitur”. Për ta mbyllur në fund: “Gëzimi për t’u shfaqur më ka mbaruar / Gëzimi është kënaqësia për të shkruar”. Po, gara ka mbaruar. Jim është tani një shkrimtar i vërtetë. / Sette – Bota.al