Ndryshime të mëdha tek Gucci: Pas 7 vitesh, largohet drejtori artistik

Pas 7 vitesh si drejtor artistik, Alessandro Michele tërhiqet nga Gucci! Grupi francez Kering, që ka në pronësinë e tij markën dhe shumë firma të tjera luksoze, konfirmoi zyrtarisht largimin e Michele nga roli i tij, të cilin e mban që prej 2015-ës.

Përfaqësuesit falenderuan Michele për punën e 7 viteve dhe kontributin që i ka dhënë Gucci-it gjatë kësaj periudhe.

“Pasioni, imagjinata dhe kultura e tij e punës e vendosën Gucci-n në qendër të skenës, aty ku ka vendin.”– u shpreh drejtori ekzekutiv,  François-Henri Pinault.

Kompania ende nuk ka një tjetër emër që do të jetë në krye të brand-it, por e sigurtë është se ikja e Alessandro Michele erdhi si shok për industrinë e modës.

Ish-drejtori artistik gjatë punës së tij ndihmoi shumë në rritjen e shitjeve dhe riktheu entuziazmin në shtëpinë e famshme të modës së lartë.

Të ardhurat tek Gucci pothuajse u trefishuan gjatë kohës së tij në këtë rol, nga 3,9 miliardë euro në 2015 në 9,7 miliardë euro në 2021. Michele do të mbahet mend për ndërthurjen harmonike që i bëri tipareve që Gucci trashëgon prej dekadash dhe me elementë të estetikës moderne. Gjatë drejtimit të tij ai tërhoqi shumë të famshëm pas Gucci-t duke përfshirë, Lady Gaga, Beyoncé, Billie Eilish, Dakota Johnson dhe Jodie Turner-Smith.

Burimi: The Guardian
Anabelmagazine