Artisti estonez që nuk mundi të vinte në Kënga Magjike, videomesazh nga spitali

Stefan, artisti nga Estonia i cili këtë vit përfaqësoi vendin e tij në Eurovizion, nuk mundi të ishte pjesë e fazës gjysmëfinale të festivalit Kënga Magjike. Shkak u bënë arsyet shëndetësore. Megjithatë, ai erdhi në skenën e madhe të Pallatit të Koncerteve nëpërmjet një videomesazhi të dedikuar për festivalin.

Ardit Gjebrea: Do doja të ndaloja pak tek një super artist i cili për shkaqe shëndetësore nuk na erdhi dot në këtë fazë të rëndësishme të festivali.

Eva Murati: Është Stefan, përfaqësuesi i Estonisë në Eurovision 2022, i cili pas një pneumonie të rëndë, mjekët nuk ia këshilluan ardhjen në festival. Megjithatë, në fazën e parë të programit, ajo këngë na dha një energji që të gjithëve.

Olta Beqiri: Le të ndjekim një mesazh të dedikuar për festivalin tonë.

Stefan: Më vjen shumë keq t’ju informoj se nuk do të mund të vij në Shqipëri për të marrë pjesë në Kënga Magjike. Fatkeqësisht jam sëmurë me pneumoni dhe tani jam në spital, nën vëzhgimin e mjekëve. Unë shpresoja deri në momentin e fundit që do të mund të vija, por fatkeqësisht nuk është e mundur. Doja shumë të këndoja këngën time, por mbase herën tjetër. Ju uroj të gjithëve një shfaqje vërtetë të bukur dhe gëzuar festat që po afrohen. Kujdesuni për njëri-tjetrin dhe qëndroni të sigurt. Shihemi së shpejti!

Ardit Gjebrea: E përshëndesim edhe ne Stefan, i cili është duke na ndjekur përmes aplikacionit Klani Im. Hi Stefan We Miss You./tvklan.al