Dr. Anisa Lico: Çfarë duhet të dimë për Demencën, shenjat dhe simptomat më të zakonshme!

Sipas të dhënave të fundit të publikuara në projektin për kërkimet shkencore per demencën në tetor të vitit 2022 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, DEMENCA është shkaku kryesor i paaftësisë dhe varësisë për kujdes nga të tjerët, në të moshuarit në mbarë botën. Përafërsisht 55.2 milionë njerëz janë të prekur nga demenca në nivel botëror; mbi 60% e të cilëve jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Demenca shkakton një ngarkesë të konsiderueshme në individët e prekur dhe familjet e tyre si dhe ne shëndetin, mirëqenien sociale dhe sistemet financiare në të gjitha vendet. Në vitin 2019, demenca ishte shkaku i shtatë kryesor i vdekjes në nivel global, duke llogaritur 1.6 milionë vdekje. Kostoja globale e kujdesit mjekësor, social dhe joformal lidhur me demencën në vitin 2019 u vlerësua të ishte më shumë se 1.3 trilion dollarë dhe kjo kosto pritet t’i tejkalojë 2.8 trilion dollarë deri në vitin 2030. Jetëgjatësia duke u rritur pothuajse në çdo vend është faktori më i fortë i pavarur i rrezikut për demencën. Pritet që numri i njerëzve të prekur nga demenca të rritet në 78 milionë deri në vitin 2030.

Demenca është termi përmbledhës për një sërë gjendjesh neurologjike, simptoma kryesore e të cilave është rënia e funksionit të trurit për shkak të ndryshimeve fizike në te. Ndikon në kujtesën dhe ne funksione të tjera njohëse, çon në ndryshime të humorit dhe sjelljes, dhe ndërhyn në aftësinë për të kryer aktivitetet e përditshme dhe per te marre pjesë në mënyrë të pavarur në shoqëri. Demenca është kategorizuar si një çrregullim neurokognitiv (NCD) në Manualin Diagnostik dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore (DSM-5).

Në përgjithësi, Demenca zhvillohet përgjatë shumë viteve dhe shpesh diagnostikohet vetëm kur neurodegjenerimi i rëndësishëm ka ndodhur. Prandaj, të kuptuarit te sëmundjes dhe identifikimi i mekanizmave qe çojnë ne zhvillimin e saj gjatë jetës, është vendimtar për një ndërhyrje te hershme dhe vendosjen e objektiva terapeutike.

Diagnoza në kohë dhe e saktë e demencës potencialisht lejon ndërhyrjen e hershme përmes veprimit mbi faktorët e rrezikut te modifikueshëm, menaxhimit më te mirë te simptomave, suport me te madh për njerëzit që jetojnë me demencën dhe familjet e tyre, planifikim për të ardhmen, ruajtja e pavarësisë dhe shtyrjen e institucionalizimit.

Demenca nuk nënkupton një shkak specifik ose një proces te vetëm patologjik. Më shumë se 55 sëmundje, disa jo progresive, mund të shkaktojnë demencë.  Prevalenca është rreth 1 për qind në moshën 60 vjeçare dhe dyfishohet çdo pesë vjet, për të arritur në 30 deri në 50 për qind në moshën 85 vjeçare.

Duke u bazuar tek të dhënat e fundit te publikuara ne PubMed ne Maj te 2022 përmes artikullit “Dementia”, Alzheimer është shkaku më i zakonshëm i demencës dhe përbën rreth 70% të rasteve. Mund të ndodhë në mënyrë sporadike ose të jetë familjare, genetike. Megjithëse mbijetesa mesatare është 8 deri në 10 vjet, diapazoni është mjaft i ndryshueshëm.

 Shkaqe të tjera të zakonshme të demences përfshijnë demencen vaskulare, demencen qe shoqërohet me prezencën e trupave Lewy, demencën frontotemporale dhe demencën qw shoqërohet me sëmundjen e Parkinsonit. Sëmundjet e tjera përbëjnë më pak raste të demencës, dhe këto përfshijnë sëmundjen Huntington, degjenerimin bazal kortikal, paralizën supranukleare progresive, atrofinë multisistemike dhe sëmundjen Creutzfeldt-Jakob.

Sipas faqes zyrtare t137 Mayo Clinic, simptomat e demencës ndryshojnë në varësi të shkakut dhe te gravitetit tw sëmundjes ne një periudhe te caktuar kohore. Megjithatë, shenjat dhe simptomat me te zakonshme përfshijnë:

Ndryshimet cognitive ose njohëse, ku bëjnë pjese: humbja e kujtesës, e cila zakonisht vërehet nga dikush tjetër; vështirësi në komunikimin ose gjetjen e fjalëve; vështirësi me aftësitë vizuale dhe hapësinore, të tilla si humbja gjatë vozitjes; vështirësi në arsyetimin ose zgjidhjen e problemeve; vështirësi në trajtimin e detyrave komplekse; vështirësi në planifikim dhe organizim; vështirësi me koordinimin dhe funksionet motorike; konfuzion dhe çorientim.  Ndryshimet psikologjike, ne varësi te progresit te sëmundjes përfshijnë: ndryshimet e personalitetit; depresion; ankth; sjellje te papërshtatshme; paranoja; halucinacione.

Diagnostikimi i demencës dhe llojit të saj është sfidues. Diagnostikimi behet ne baze te përcaktimit te modelit te humbjes së aftësive dhe funksionit dhe të përcaktimit se çfarë është ende në gjendje të bëjë një pacient. Kohët e fundit, biomarkerët janë bërë të disponueshëm për të bërë një diagnozë më të saktë të sëmundjes Alzheimer.

Megjithatë, nje test i vetëm nuk mund të diagnostikojë demencën, kështu që mjekët duhet të kryejnë një numër testesh që mund të ndihmojnë në përcaktimin e sëmundjes. Këto teste përfshijnë:

Testet kognitive dhe neuropsikologjike që vlerësojnë aftësinë e të menduarit, si kujtesa, orientimi, arsyetimi dhe gjykimi, aftësitë gjuhësore dhe vëmendja.

Vlerësimi neurologjik i cili vlerëson kujtesën, gjuhën, perceptimin vizual, vëmendjen, zgjidhjen e problemeve, lëvizjen, shqisat, ekuilibrin, reflekset dhe fusha të tjera.

Imazheria, CT ose MRI, të cilat kontrollojnë për prova të traumave te kokës, hemorragjisë, tumoreve ose hidrocefalise. PET Scan, pëdroret per te treguar modele të aktivitetit të trurit dhe nëse proteina amiloide ose tau, shenja dalluese të sëmundjes së Alzheimerit, janë depozituar në tru.

Testet laboratorike, testet e thjeshta të gjakut mund të zbulojnë probleme fizike që mund të ndikojnë në funksionin e trurit, të tilla si mungesa e vitaminës B-12 ose një gjëndër tiroide joaktive. Ndonjëherë likidi cerebrospinal ekzaminohet për infeksion, inflamacion ose shënues të disa sëmundjeve degjenerative.

Vlerësimi psikiatrik, ku përcaktohet nëse depresioni ose një gjendje tjetër e shëndetit mendor po kontribuon në simptomat e demences.

Nuk ka asnjë mënyrë të sigurt për të parandaluar demencën, por ka hapa që mund të ndërmerren të cilat mund të ndihmojnë ne reduktimin e riskut për zhvillimin e demences.

Aktiviteti i vazhdueshëm mendor. Aktivitetet stimuluese mendore, të tilla si leximi, zgjidhja e enigmave dhe praktikimi i fjalëkryqeve mund të vonojnë fillimin e demencës dhe të ulin efektet e saj.

Aktiviteti fizik dhe social. Aktiviteti fizik dhe ndërveprimi social mund të vonojnë fillimin e demencës dhe të zvogëlojnë simptomat e saj. Rekomandohen 150 minuta ushtrime fizike në javë.

Ndërprerja e pirjes se duhanit. Disa studime kanë treguar se pirja e duhanit në moshën e mesme dhe më tej mund të rrisë rrezikun e demencës dhe sëmundjeve të enëve të gjakut.

Marrja e mjaftueshme e vitaminave. Disa kërkime sugjerojnë se njerëzit me nivele të ulëta të vitaminës D në gjak kanë më shumë gjasa të zhvillojnë sëmundjen e Alzheimerit dhe forma të tjera të demencës. Marrja e vitaminës D mund te realizohet përmes ushqimeve të caktuara, suplementeve dhe ekspozimit në diell. Nevojiten më shumë studime përpara se të rekomandohet një rritje e marrjes së vitaminës D për parandalimin e demencës, por është një ide e mirë qe te gjithe të sigurohen që të marrin vitaminën D ne sasi të mjaftueshme. E rëndësishme eshte marrja e mjaftueshme e vitaminës C dhe B-12, deficiti i te ciles duket te jete i lidhur me riskun dhe agravimin e sëmundjes.

Menaxhimi faktorëve te rrezikut kardiovaskular. Trajtimi i presionit te lartë të gjakut, nivelit te larte te kolesterolit dhe diabetit. Shmangia e mbipeshës është e rëndësishme.

Edhe pse mendohet qe presioni i lartë i gjakut mund të çojë në një rrezik më të lartë të disa llojeve të demencës, nevojiten më shumë kërkime për të përcaktuar nëse trajtimi i presionit të lartë të gjakut mund të zvogëlojë rrezikun e demencës.

Mbajtja e një dietë të shëndetshme. Një dietë e tillë si dieta mesdhetare – e pasur me fruta, perime, drithëra dhe acide yndyrore omega-3, të cilat zakonisht gjenden në disa peshq dhe arra – mund të promovojë shëndetin dhe të ulë rrezikun e zhvillimit të demencës. Kjo lloj diete gjithashtu përmirëson shëndetin kardiovaskular, gjë që mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të demencës.

Praktikimi i nje gjumi cilësor. Te pasurit te një praktike të mirë të gjumit mendohet te ule riskun e semundjes. Rekomandohet konsultimi me mjekun nëse gërhitja me zë të lartë ose apnea e gjumit apo periudha kur ndalon frymëmarrja gjatë gjumit është prezente.

Trajtimi i problemeve te dëgjimit. Njerëzit me humbje të dëgjimit kanë një shans më të madh për të zhvilluar rënie te funksioneve njohëse. Trajtimi i hershëm i humbjes së dëgjimit, si përdorimi i aparateve të dëgjimit, mund të ndihmojë në uljen e rrezikut te demences.

Shmangia e traumave te kokës dhe përdorimit te sedativeve apo tabletave te gjumit, kontribuojnë ne reduktimin e riskut për zhvillimin e demences.

Ndërsa faktorët si mosha mbi 65 vjec, historia familjare ose predispozicioni gjenetik, dhe Sindroma Down bejne pjese ne grupin e farkoreve te pashmangshëm te riskut për zhvillimin e demences.

Trajtimet efektive medikamentoze për demencën jane te paketa. Vetëm katër barna janë aktualisht në dispozicion ndërkombëtarisht për semundjen e Alzhaimerit: tre frenues të acetilkolinesterazës dhe një antagonist i receptorit N-metil-D-aspartat, dhe të gjitha këto medikamente bëjnë vetëm trajtim simptomatike, pa ndërhyrë ne modifikimin e vete sëmundjes. Që nga viti 2002, kur u miratua Memantine për trajtimin e simptomave te sëmundjes Alzhaimer per forma të moderuar deri në të rëndë, nuk ka asnjë medikament të ri te miratuar, sipas te dhënave te bluprintit te publikuar nga OBSH. Përjashtimi i vetëm është miratimi i përshpejtuar i një antitrupi monoklonal kundër amiloidit β -Aducanumab – nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në 2021, i cili mundëson largimin e amiloidit nga truri i njerëzve me Alzhaimer dhe mendohet te kete benefite ne proceset njohëse tek keta pacientë. Miratimi i plote është i diskutueshëm për disa arsye; jo vetëm se përfitimet ne proceset njohëse nuk janë vërtetuar përfundimisht, por të pafavorshme janë efektet anësore dhe mbi te gjitha nuk ka prova të forta në këtë rast konkret që largimi i amiloidit është i lidhur me përfitimet klinike. Medikamentet për trajtimin e simptomat neuropsikiatrike të demencës, të cilat shpesh janë të vështira për t’u menaxhuar, gjithashtu mbeten të pamjaftueshme. Kjo per shkak se kostoja e sjelljes dhe e miratimit te nje medikamenti të ri në treg është jashtëzakonisht e lartë. Megjithatë, edhe pse shumë kompani të mëdha farmaceutike kanë ndërprerë përpjekjet e tyre për te sjelle një medikament për trajtimin e demencës, interesimi në këtë fushe po rritet nga bashkëpunimet mes industrive farmaceutike, akademive te shkencës dhe qeverive.

Duke qene se trajtimi medikamentoz i demences është i kufizuar dhe mbetet vetëm ne aspektin simptomatik, për pacientet te cilët jetojnë me demencen nje rendësi te jashtëzakonshme merr suporti dhe kujdesi qe familjaret, shoqëria dhe institucionet përkatëse tregojnë ndaj tyre.

Shërbimet per keta paciente variojnë nga diagnoza dhe trajtimi për parandalimin e zhvillimit te simptomat jo-konjitive të demencës, deri ne kujdesin afatgjatë, rehabilitimin, mbështetjen deri në fund të jetës dhe shërbime për kujdestarët dhe familjaret. Në mënyrë ideale, këto shërbime ofrohen në komunitet, ne mënyre qe të lejojne njerëzit me demencë të jetojnë në shtëpi sa më gjatë dhe te vazhdojnë të jenë pjesë e komunitetit. Modele të koordinuara të kujdesit në shtëpi dhe kur është e nevojshme, kujdesi institucional në qendra te specializuara per keta paciente, kane treguar të jenë efektive. Megjithatë, sistemet e kujdesit në mbarë botën duket sikur nuk janë në gjendje t’i përmbushin te gjitha nevojat komplekse per keta paciente, sidomos ne shumicen e vendeve me të ardhura të ulëta dhe disa të mesme, te cilat kanë shërbime të kufizuara per demencën apo per kujdesin afatgjatë. Në nivel global, qe do te thote jo vetem ne vendet me te ardhura te ulta apo te mesme, por edhe ne ato me te ardhura te larta, rrugët e kujdesit ndaj te prekurve nga demenca janë shpesh të fragmentuar, nuk janë të përqendruar te pacienti dhe shpesh nuk pasqyrojnë provat kërkimore.

Qasja e nje personelit të trajnuar sic duhet, qe kujdeset per këta pacientë, gjithashtu ndryshon

sipas vendit. Për shembull, në pothuajse një në pesë vende me te ardhura te ulëta ose te mesme,

trajnimi bazë në lidhje me demencën nuk ofrohet per përfaqësues të kujdesit shëndetësor (p.sh., mjekë, infermierë, ndihmës infermiere, personeli farmaceutik, punonjës social); një mungesë e tillë shihet vetëm në 1 në 10 vende me te ardhura te larta. Në mënyrë të ngjashme, specialistët në diagnostikimin dhe trajtimin e demencës, si p.sh neurologë, geriatër dhe psikogeriatër, janë

më te zakonshëm në vendet me te ardhura te larta sesa ne ato me te ardhura te uleta, me shifra mesatare të psikogeriatërve për 100 000 banorë prej 2.2 dhe 0.02, respektivisht. Numri i pamjaftueshëm dhe punonjës sociale apo fuqia punëtore e pakualifikuar është pengesa kryesore për ofrimin e nje kujdesi me cilësi të mirë ndaj pacienteve qe jetojne me demencen. Sipas blueprintit te publikuar nga OBSH, mungesa e përgjithshme e njohurive per mënyrën se si duhet të sigurohet kujdesi i duhur për njerëzit që jetojnë me demencë, qofshin këta familjare apo punonjës sociale, mund te ndikoje negativisht edhe në prognozë. Nje shtylle e rëndësishme e ofrimit të kujdesit ndaj demencës janë anëtarët e familjes dhe miqtë e ngushtë, të cilët ofrojnë shumicën e kujdesi për njerëzit me demencë, veçanërisht në vendet me te ardhura te ulëta. Prandaj, kujdestarëve të familjes dhe punonjësve sociale duhet t’u jepet informacion i nevojshëm për mënyrën se si duhet te kujesen për këta paciente, pasi keq informimi ose mos informimi mund te ndikoje negativisht edhe tek kujdestaret. Edukimi i kujdestarit dhe programet mbështetëse kanë treguar të jenë efektive.

Ndërsa bota po kërkon një kurë ose trajtime modifikuese të sëmundjes, vëmendja është zhvendosur në përmirësimin apo ruajtjen e funksioneve njohjes ose zvogëlimin e ndryshimeve të sjelljes si rezultat i një cilësie më te mirë te jetës, të jetuarit pozitiv me demencë, “riaftësim”, përmirësimi i funksionit të përditshëm, humorit, shëndetit social dhe emocional, si dhe pjesëmarrjes ne komunitetit. Dëshmitë në rritje sugjerojnë se ndërhyrjet jofarmakologjike, pra ndërhyrjet apo suporti psikosocial janë efektive në parandalimin, reduktimin ose trajtimin e simptomave psikologjike te demences. Në mënyrë të ngjashme, provat sugjerojnë se rehabilitimi, ushtrimet fizike dhe ecja mund të përmirësojnë funksionet njohëse, stabilitetin dhe cilësinë e jetës së njerëzve me demencë.

Shënim: Artikulli për revistën “Story” mban autorësinë e Dr. Anisa Liço, Kirurge e Përgjithshme

/www.story.al