Dhuna ndaj së moshuarës në Kosovë, reagon Albin Kurti: S’ka qytetar që nuk është shokuar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar në lidhje me rastin e dhunimit të nënës së dëshmorit të UÇK-së në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë. Kurti e quan atë çka ndodhi të tmerrshme, ndërsa njofton se institucionet janë angazhuar për ndjekjen e rastit.
Ai shtoi se ngjarja ën fjalë ka tronditur mbarë opinionin publik dhe sipas tij dhuna ka ndodhur ndaj pjesës më të ndjeshme të shoqërisë që janë të moshuarit.
“Ajo që pamë sot ishte e tmerrshme. Nuk ka qytetar i cili s’është shokuar, kurse institucionet me të marrë vesh sulmin mbi nënën, të moshuaren, në Qendrën Strehimore në Pejë, janë aktivizuar dhe kanë vepruar.
Të moshuarit janë më të dashurit tanë. Ata kanë kontribuar në shoqëri në aq shumë aspekte për kohën më të gjatë sesa të gjithë ne të tjerët. Do të qëndrojmë pranë tyre si me vendime e përgjegjësi qeveritare, gjithashtu edhe me ndjenjën dhe përkujdesjen qytetare”, u shpreh Kurti përmes një reagimi në Facebook.
Kujtojmë se në videon e shpërndarë në rrjetet sociale, punonjësja Aurona Pelaj shihet duke goditur me shpulla dhe këmbë në bark të moshuarën ndërsa vajzat e tjera e filmojnë dhe qeshin.
E moshuara është nëna e dëshmorit Taulant Nura. Ajo është nxjerrë nga azili nga vajza e saj, Zhaneta Nura, e cila ka thënë se para 4 ose 5 ditësh kishte vërejtur shenja dhune në fytyrën e nënës.