Në skenën magjike u këndua në 4 gjuhë
Në javën e shtatë të Festivalit Kënga Magjike vijon të zgjerohet shtrirja gjeografike. Në 4 gjuhë u këndua live në skenën magjike të festivalit ndërkombëtar, ku prezantuan këngët e tyre 4 artistë BIG. Mariza Ikonomi, një nga kampionët në pjesëmarrje në Kënga Magjike, vlerësuar me shumë çmime të rëndësishme, i këndoi dashurisë ndaj mamave.
“Emocionet janë gjithmonë emocione, por është një nga gjërat më të bukura dhe nga emocionet më të bukura që mund të përjetosh”.
Përfaqësues të Festivalit Europian javë pas jave prezantohen në magjinë shqiptare. Andrea, artisja POP nga Maqedonia e Veriut, në bashkëpunim me producentin e saj, i cili ka qenë dy herë përfaqësues si autor në Eurovizion, sollën superproduksionin “Telepatija”
“Ky produksion dhe studio është e mrekullueshme”.
Pas 9 viteve, rikthehet në Kënga Magjike, me një krijim të sajin, Sheila Haxhiraj.
“Është një këngë dashurie, është një dedikim personal. Këtë vit kam ardhur si kantautore sërish”.
Konkurrimin e artistëve BIG të kësaj jave e mbylli super bandi nga Republika Çeke “We are Domi”. Pas Grand Final në Eurovizion në vitin 2022, grupi i pop-it dhe elektropopit skandinav, performuan në Kënga Magjike, “Alive”.
“Dëgjuam për Këngën Magjike në Eurovizion nga Ronela Hajati. Kur kërkuam mësuam që ishte një festival fantastik”.
Kategoria New Artist solli në skenë Jorgos, një artist grek, me autor të këngës Janis Parios dhe Hari Varthakuris, ndërsa 3 artistë të tjerë, Vanesa Sono ardhur nga Anglia, Castor ardhur nga Norvegjia dhe Andrea Vathaj nga Italia kënduan shqip dhe u kualifikuan në fazën e parë të festivalit.
Jorgos: Anxhela Peristeri me prezantoi me këtë festival, me këtë produksion dhe me këtë konkurs të jashtëzakonshëm.
Vanesa Sono: Ka qenë gjithmonë një dëshirë e imja që të marr pjesë dhe mendoj që tani ishte momenti i duhur me këngën e duhur.
Andrea Vathaj: Festivali i Këngës Magjike është një ndër festivalet më të mëdhenj në Shqipëri dhe është shpresa e rinisë si unë.
Castor: Zgjodhëm për të parë si ecën puna këtu me muzikën time. Kam filluar të shkruaj edhe më shumë shqip.
E ndërsa javët kalojnë dhe zbulohen artistët e mirënjohur dhe këngët e tyre, gara në festivalin e Këngës Magjike bëhet më e fortë. Magjia vazhdon, #Feeltheenergy.
Tv Klan