Anaid Kaloti: S’kam më kohë për të dashura turistike, tani do të më shihni në altar me gruan e jetës

Fituesi i “Big Brother 6”, Anaid Kaloti po përgatitet t’i rikthehet ekranit me një “reality show” veror, program fantastik dedikuar turizmit, e që titullohet “Merre me vete”. Ndërkohë ka postuar në Instastory një foto ngacmuese, ku në errësirë ishte duke shijuar birrë me një person misterioz, duke lënë të kuptohej se bëhej fjalë për takim romantik me një vajzë. Duke marrë shkak nga kjo foto, e pyetëm Anaidin nëse është në një lidhje tashmë, pasi u komentua në media për foton nostalgjike që ish-banorja e “Big Brother”, Joana Gjuzi postoi nga loja e tyre në ”BB”. Anaidi rrëfen për revistën “Story” romancën e tij private që s’ka lidhje me asnjë emër deri tani të njohur.

Si gazetar në profesion, po përgatitesh për programin tënd televiziv. Po jeta private si po shkon, je në një lidhje dashurie?
Jeta ime tani është stabilizuar pak. Çdo gjë vjen me moshën, kështu që aventurat në këtë moshë mund t’i lëmë vetëm për televizion.
Kjo do të thotë që ke vetëm një të dashur stabël?
Kjo do të thotë që goditjen tjetër do e shini vetëm kur të ngjitem në altar. Nuk kam kohë për të dashura turistike. Duhet të gjej një ishull ku të jetoj përjetë.
Çfarë nënkupton me “të dashura turistike”?
Sezonale, të bukura, jo domosdoshmërisht të virgjëra. Dielli ndikon shumë tek to, dhe zakonisht janë të shenjës së horoskopit Peshqit. Jo s’e peshkohen lehtë, por sepse kanë qejf djathin, shalqirin dhe komardaret. (qesh)
Pra je duke jetuar një romancë, brenda së cilës ke futur edhe logjikën?
Unë mendoj se jetoj në dy vende, këtu ku marr frymë dhe aty kur rreh një zemër që merr frymë si unë. Po jetoj çaste të lumtura derisa ta finalizojmë me ndonjë boom.