“Në Tiranë sheh kudo njerëz të stresuar, në mal i fus një teke raki për qejf me ariun”

Ajo është një nga gazetaret më të njohura në vendin tonë. Alma Çupi është një gazetare shumë e thjeshtë, tejet e preferuar në sytë e shqiptarëve.

Prej vitesh ajo drejton emisionin “Histori shqiptare” në Tv Klan, duke sjellë për publikun histori njerëzore nga çdo qytet e fshat i Shqipërisë.

Alma ishte e ftuar mëngjesin e sotëm në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, me Aldon Lipen, ku ndërsa diskutonte rreth temës së ditës që lidhej me martesën, ajo foli edhe për lirinë, duke e lidhur edhe me përditshmërinë e saj dhe rolin fisnik që Alma ka prej vitesh, atë të gazetares.

Ndërsa fliste për këtë temë, Alma u shpreh se e ka gjetur lirinë e saj në natyrë dhe në male, ndërsa theksoi se ka vërejtur që në kryeqytet njerëzit janë të stresuar, pavarësisht anës financiare. Duke qeshur, ajo shtoi se në natyrë ajo ‘pi edhe raki me ariun’, duke vlerësuar kështu më tepër jetën rurale se atë urbane.

“Unë e kam gjetur lirinë time o Aldo. Unë atje kam një dimension tjetër, unë kam energjinë e natyrës sepse këtu në Tiranë ti nuk e gjen energjinë e njerëzve. Njerëzit janë të stresuar, edhe ata që kanë lekë, edhe ata që s’kanë lekë.

Bile ata që kanë lekë kanë edhe më shumë stres, kështu që unë e kam gjetur dimensionin te malet. Atje te pemët, te livadhet, te njerëzit e thjeshtë.Me ariun aty për qejf, i fus një gotë raki kur dua të pi ndonjë raki ose ndonjë gotë verë” – tha Alma Çupi për emisionin “Aldo Morning Show”