Regjisori Gurakuqi në Refleksione: Si kapërceva dhimbjen e humbjes së tim biri!

Nga Refleksione

Artisti, regjisori dhe shkrimtari Nikolin Gurakuqi ishte personazhi i mbrëmjes në “Refleksione” në Abc të autorit Agim Baçi.

Gurakuqi ndau me publikun fillimet e tij në regji, duke ndjekur në këtë mënyrë hapat e babait të tij, i cili po ashtu ka qenë një nga emrat më të mëdhenj të regjisurës shqiptare.

Ai rrëfeu se babai i tij fillimisht kishte pasur kundërshti për karrierën e të birit, por pak kohë para se të ndahej nga jeta, në një intervistë për televizionin shqiptar pati shprehur krenarinë e madhe për djalin e tij, duke thënë se Nikoli ishte bërë edhe më i mirë se ai.

“Pyetjes së gazetarit në atë kohë kur u pyet se si e shihni djalin tuaj si regjisor ai u përgjigj, a im bir ma ka kaluar. Por të shoh se ai djalë që t’i e merrje për dore në shkallët e Operas dhe Baletit për të parë provat dhe ta shohësh sot këtu, nuk ka kënaqësi më të madhe. Kjo ka qenë me thënë të drejtën ndoshta edhe një vlerësim i tij duke parë me një lloj sentimalizmi djalin, por veprat e mia aty janë”, u shpreh Gurakuqi.

Por regjisori Gurakuqi ndau edhe një histori të trishtë të familjes së tij, e cila humbi 10 vite më parë në moshën 26-vjeçare djalin e tyre Marsidin.

Ai tha se për disa muaj kali një gjendje të rëndë ku kishte dhimbje pafund dhe një paaftësi për të punuar. Por gjeti forcat që ta mposhte dhimbjen përmes veprave të tij letrare, të cilat ia dedikonte djalit të tij Marsidi.

Gjithashtu regjisori Gurakuqi tha se punoi fort me veten duke i thënë se ai nuk duhet të dorëzohej pasi kishte djalin tjetër Enkeli (Regjisor), bashkëshorten por edhe të afërmit.

“Jeta është një mister, në rrugëtimin tonë jetësor në profesionet e ndryshme që ndjekim, hasim edhe nëpër ngjarje të hidhura të jetës, kështu ka qenë edhe ngjarja shumë e rëndë e familjes time ku unë humba djalin tim 10 vjet më parë Marsidin. Ka qenë një humbje e cila më çoi në një dimension tjetër, kanë qenë muaj të tërë dhimbjeje pafund dhe një paaftësie për të punuar. Sigurisht që duhet patjetër të dilja nga kjo situatë dhe e vetmja mënyrë për të dalë ishte puna me veten. Fillova t’i them vetes mos u dorëzo sepse ke familje, ke djalin tjetër, ke gruan ke të afërmit dhe duhet patjetër që ta pranosh humbjen dhe të gjesh mënyrën që ti ta kujtosh djalin duke i dedikuar vepra. Me këtë ndërhyrje mbi veten fillova t’i them vetes që duhet të dalësh dhe mbas një kohe të caktuar pas 4-5 muajsh dola u riktheva në punë dhe vura në skenë operën “Toska” me Taulant Pustinën, e cila ishte një triumf i vërtetë. Që nga ai çast çdo gjë që unë kam bërë artistikisht apo vepër letrare ia kam dedikuar djalit. Operën “Toska” duhet të shikoni atje në pikturën e “Kavoradovskit” në “M” dhe një 26, njerëzit më pyesnin se çfarë do të thotë ajo “M 26”, unë i thoja “Mario 26” sepse nuk doja tu tregoja të vërtetën, pasi jo do të thoshte “Marsidi 26” sepse Marsidi na la 26-vjeç. Në çdo vepër të shkruar unë nuk kam reshtur së shkruari, kam shkruajtur 5 vepra të shkruara e gjashtë është gati për botim. Në veprën e parë ju do të shikoni një baba që ulëret, nuk ka shumë letërsi aty, ka më shumë ulërima dhe dhimbje të brendshme. Por aty kuptova që nuk mund ta lija më këtë punë. Shpresoj që së afërmi të dal me një botim të ri8 ku sërish do të ketë disa poezi për Marsidin, por mua më pëlqejnë dhe poezitë sociopolitike, pasi mua nuk më pëlqen të rri jashtë realitetit herë herë të dhimbshëm por edhe në ngjarje të bukura. Sigurisht që njeriu nuk është i vetëm në luftë, por mbështete edhe nga njerëz të afërm”, theksoi regjisori Gurakuqi, ndërsa ndante në “Refleksione” dhimbjen që kishte kaluar për humbjen e djalit”.

/Abcnews.al/