Nisur nga deklarata e Dojnës: Sa e vështirë është të bëhesh prind pas humbjes së një prindi?

Dojna, teksa fliste për vogëlushin e saj gjatë intervistës tek “Goca dhe Gra” ndaloi pak edhe tek humbja e të atit, të cilin e humbi dy vite më parë si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Ndër të tjera, ajo tregoi se ardhja e Nolan ishte “një shenjë” pasi ishte djali i parë në familje, një që i ati e kishte dashur shumë.

“Në raste të tilla do bëhesh e fortë patjetër. Nuk ke zgjidhje të mos jesh e fortë. Ne të treja vajzat e shtëpisë, unë mami dhe motra jemi treguar të forta. Në sy të botës duket sikur e kemi përballuar me këtë karakterin e hekurt dhe me buzëqeshje në fytyrë por dhimbja dhe mungesa është reale.

E vetmja gjë që më ka ngushëlluar gjithmonë, imagjinoja që genet e babait tim jetojnë te unë. Ky vizion i të parit të çështjes jetë a vdekje më bën ta jetoj më natyrshëm. Gjithmonë e kam ndjerë që babai është brenda meje. Kur babi iku mua m’u ndryshuan prioritetet. Bashkë me ikjen e babit, mu hap dritare të tjera. I shihja gjërat më sy tjetër edhe tani që po flas më duket sikur flas më zërin e tij. Babai donte shumë të kishte një djalë, ardhja e Nolan ishte shenjë shumë e fortë. Më duket sikur i ngjan babait tim”– tregoi Dojna mes emocionesh.

Ardhja e një bebushi kur para pak kohësh ke humbur dikë shumë të dashur (siç është prindi) është vërtetë një shenjë që vjen pikërisht për të të treguar se jeta vazhdon dhe është po njësoj e bukur. Nga ana tjetër, kur dikush i afërt ndërron jetë, të gjitha “eventet e tjera të gëzueshme” miksohen me emocione të trishta. Në mes të një feste qoftë kjo lindje, diplomim, promovim, shtëpi e re, dasmë, etj ti e gjen veten duke thënë me ose nën zë: “Do të doja që ai/ajo të ishte këtu me ne…”

E tillë është edhe përjetimi i mëmësisë për herë të parë kur ke humbur njërin prej prindërve, por si çdo gjë tjetër i ka të dyja anët e medaljes.

Fillimisht e nisim me: Pse është e vështirë si eksperiencë?

1. Ti nuk mund ta ndash lajmin me të

Kjo mund të të shkaktojë pak trishtim pasi të paktën përballë nuk mund të ndash gëzimin dhe ta shohësh të gëzuar, pavarësisht se ndjen siguri që një dashuri aq hyjnore sa është prind-fëmijë i kalon kufijtë jetë-vdekje.

2. Të mundon fakti që ata s’do ta takojnë kurrë fëmijën tënd dhe e kundërta

Do të doje ta shijonin dhe të mësonin nga njëri-tjetri dhe kjo të trishton.

3. Ndjen një lloj xhelozie (të kuptueshme dhe të shëndetshme) për ata që i kanë prindërit

Eshtë normale dhe e kuptueshme të ndjesh një lloj mërzitje dhe xhelozie kur sheh miqtë e tu me prindërit dhe me nipërit e tyre- thjesht sepse e di që fëmija yt nuk do të ketë mundësinë të shijojë diçka të tillë me prindin tënd.

4. Do të doje të dëgjojë këshillat e tyre dhe të ndjeje mbështetjen

Nuk kanë fund mënyrat sesi një prind mund të ndihmojë fëmijët, sidomos kur ky i fundit bëhet prind për herë të parë.

5. Fëmijëria e fëmijës tënd mund të të kujtojë veten

Kjo është diçka që u ndodh të gjithëve dhe pavarësisht melankolisë që shkakton, ti zhytesh në kujtime të ëmbla dhe vlerëson gjithçka ke patur fatin të shijosh.

Pse të bëhesh prind pas humbjes së një prindi është bekim më vete?

1. Fëmija që vjen në jetë do t’ju sjellë gëzim dhe t’ju japë sërish një qëllim

Mes qindra dilemash, mërzitjesh, pyetjeve apo frikërash vjen në jetë një fëmijë dhe ti beson sërish. Bota të duket me ngjyra dhe ke një qëllim për të cilin ja vlen të jetosh çdo sekondë. Eshtë fiks drita që ju duhej në mes të errësirës që ju kishte përfshirë dhimbja.

2. Të bëhesh prind pas humbjes së njërit prej prindërve të lejon të rilidhesh sërish me ta

Në mënyra nga më të ndryshmet ti jeton çdo ditë me kujtimin e tyre.

– Mes historive dhe kujtimeve që ndan me fëmijën tënd

I tregon atyre çaste nga gjyshërit, fotografi dhe momente që do të jetojnë përgjithmonë tek ty.

– Përmes ritualeve dhe traditave që vazhdojnë

Ti bashkë me të voglin mund të vazhdoni traditat e familjes. Një festë e kujtuar përmes një zakoni tipik familjar ju kthen në ditët më të lumtura dhe sigurisht tek prindi.

-E sheh prindin, nga një tjetër këndvështrim.

Të qënit prind të lejon të rilidhesh me prindin tënd në mënyra nga më të ndryshmet. Marrëdhënia që kemi me to s’është kurrë statike. Ajo nuk ngrin, por vazhdon të evoluojë dhe ndryshojë edhe nëse një ditë ata s’janë më fizikisht. Për shembull, gjërat që të lidhnin me prindin tënd 20 vjeç nuk të lidhin më tani që je bërë vetë prind. Reflekton dhe përcjell tek fëmija gjërat më të mira që ke marrë nga nëna dhe babai yt, duke e kthyer dhimbjen në forcë dhe krenari për fëmijën që po rritet.

Anabelmagazine