Ndahet nga jeta ylli i grupit italian ‘Ricchi e Poveri’
Është ndarë nga jeta pjesëtari i grupit të famshëm Italian “Ricchi e Poveri”, Franco Gatti. Ai ndërroi jetë në spitalin San Martino në Genova në moshën 80-vjeçare.
“Një pjesë e jetës sonë iku. Lamtumirë Franco”, -tha grupi në një deklaratë për ANSA.
Franco la pas gruan dhe vajzën e tij.
Në vitin 2016 Franco Gatti u largua nga Ricchi e Poveri për t’iu përkushtuar më shumë familjes së tij, pasi humbën tragjikisht djalin e tyre.
Ribashkimi i madh ndodhi në vitin 2020 në skenën e Sanremos, me rastin e 50-vjetorit të këngës “La prima cosa bella” dhe pjesëmarrjes së parë në Festivalin e vitit 1970. Për Franco-n, rikthimi në Ariston ishte një lloj kompensimi artistik dhe moral, duke qenë se pikërisht në Sanremo, disa vite më parë, në vitin 2013, ai kishte marrë lajmin tragjik të vdekjes së papritur të djalit të tij Alessio-s në moshën 23-vjeçare. Në atë rrethanë Franco u detyrua të largohej nga Sanremo, ku duhej të performonte me Ricchi e Poveri dhe të merrte një çmim për karrierën.