Plasin polemikat në Topin e Artë: Real i tërbuar me vendin e tretë, Kross e Casillas e quajnë “një shaka”

Topi i Artë nuk mund të kalojë pa polemika. As kur Benzema i bie dakord të gjithë se e meriton. Në fakt, ato janë shkaktuar nga fakti se Real Madrid është mposhtur nga Manchester City dhe Liverpool në renditjen speciale të klubit më të mirë të vitit. E në Spanjë nuk e kanë kapërcyer dot këtë. Të parët që ironizuan ishin futbollistët Blancos Toni Kross dhe Iker Casillas, të cilët shigjetuan në rrjetet sociale: “Është shaka…”.

Është e vërtetë që triumfi i Topit të Artë nga Benzema dhe çmimi Yashin për Courtois ishin nga radhët e Real Madrid. Por vendi i tretë si klub, gjithsesi, i la me shije të keqe Blancos. Sezoni për Realin ishte vërtet plot suksese. E sidomos pas fitores në Champions League, skuadra e Ancelottit u dha nga të gjithë si favorit. Pakënaqësia ishte e fortë brenda klubit, me mesfushorin gjerman Toni Kross, i cili menjëherë pas ceremonisë së çmimit, postoi në Twitter me ironi të dukshme: “Ekipi i tretë më i mirë në 2021/22, Real Madrid a je i lumtur?”. Të njëjtën bezdi si Kross ka shprehur edhe ish-portieri i Blancos, Iker Casillas, i cili po ashtu në Tëitter ka shkruar: “Urime Real Madrid për vendin e tretë! Çfarë shakaje ky çmim!”.

Edhe tifozët e Realit treguan të gjithë trishtimin e tyre, të detyruar të asistonin në një ceremoni të diskutueshme çmimesh. Vitin e kaluar, në fakt, Manchester City në Champions League kishte arritur vetëm në gjysmëfinale, i mundur nga merengues. Por sic duket kjo nuk mjaftoi dhe klubi anglez u ngrit triumfues për të marrë çmimin gjatë ceremonisë.