Në kopshtin e dashurisë së Venerës dhe Lindit

 Venera dhe Lindi, çifti më i dashur për publikun, zhvilluan recitalin e tyre të parë, në 10 vjetorin e njohjes së tyre. Skena madhështore e Teatrit të Operës dhe Baletit, e gjelbëruar me një skenografi krejtësisht të veçantë, të kuruar nga Ajola Xoxa, u mbush me emocione mbrëmjen e 11 tetorit.

“Momenti më emocionues ishin duartrokitjet gjatë hapjes së siparit. Mendoj se askush nuk priste një kopësht lulesh brenda në skenë,”– u shpreh Venera, teksa e pyetëm si e përjetuan ata mbrëmjen e tyre.

Duke qenë përherë në mbështetje të eventeve më të bukura edhe këtë herë, këtij eventi nuk i mungoi bashkëpunimi me One Telecommunications dhe ALBtelecom.

“Një ditë pas koncertit mund të themi me plotë gojë se gjithçka vajti për mrekulli, madje duke kaluar edhe pritshmëritë tona. Çdo gjë ishte aq magjike!” – shtoi Venera.

Busulla që e drejtoi çiftin në këtë rrugë artistike ishte pikërisht zemra, ndaj edhe koncertin e quajtën “Me zemër”. Ata ndanë shumë kujtime dhe momente nga jeta e tyre përgjatë koncertit, duke dhënë mesazhin se të ecësh me zemër nuk është gjithmonë e thjeshtë.

“Na u desh të largoheshim nga familjet që të vegjël dhe të përballonim shumë vështirësi, vetëm për hir të dashurisë për muzikën”.

Ne jemi mësuar t’i shohim gjithmonë bashkë në skenë por, gjatë intervistës, Venera u shpreh se “çdo ditë e më shumë ‘Venera&Lindi’ po bëhet një brand, por mendoj se edhe si solistë do të ketë këngë dhe koncerte herë pas here. Pra, ne duam të jemi artistë dhe të krijojmë edhe veçmas edhe bashkë.”

E ardhmja e afërt është gjithashtu e mbushur me plane për ta. Koncerti “Me Zemër” pritet të udhëtojë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë si edhe në Kosovë, vendlindja e Lindit dhe në Maqedoninë e Veriut, vendlindja e Venerës.