Luiza Gega tërhiqet nga ‘Dance Albania’: ‘Kur e shikoja këtë program nga jashtë, dukej argëtues’
Atletja Luiza Gega u tërhoq nga gara e saj në “Dance Albania” (emision që më parë njihej si “Dance with me”) për shkak se e ka të pamundur të vazhdojë më tutje si pasojë angazhimeve sportive.
“Kur e shikoja këtë program nga jashtë, dukej si diçka argëtuese. Kur erdha këtu, kuptova se kërkon shumë impenjim. E kam të pamundur të jap më të mirën time. Për këtë koreografi kam bërë vetëm një ditë provë. Por nuk është maksimumi, unë dua të jap maksimumin,” tha ajo.
Kampionia e Europës tha se i vjen keq që “e ndërpres këtë eksperiencë kaq të bukur për mua.”
“Ka qenë një ëndërr shumë e bukur, sinqerisht unë nuk mendoja që do ta shijoja kaq shumë dhe që do merrja kaq dashuri nga të gjithë ju, përveç asaj që unë bëj. Mos më bëni të qaj se jam natyrë që prekem dhe dua ta mbaj këtë si një eksperiencë të bukur dhe një kujtim vërtet, pse jo nga më të bukurat e jetës time,” shtoi ajo.
Duket se vendimi nuk ishte i lehtë për Gegën, e cila ishte një nga konkurrentet më të spikatura e cila në natën e dytë rrëmbeu edhe kupën. Megjithatë, angazhimi në sport vjen mbi gjithçka tjetër. Në fund të gushtit, ajo u shpall kampione e Europës në garën e 3000 metrave me pengesa, të organizuar nga Mynih.
Anabelmagazine