Ne Itali punoja murator, Kledi Kadiu rrëfen sakrificat në fillimet e tij në Itali

Suksesi kërkon mund dhe sakrifica, por mbi të gjitha shumë ëndrra, kështu ka ndodhur me balerinin Kledi Kadiu!

Artisti i njohur shqiptar që ka pushtuar skenat e Italisë, ka treguar sonte në “Më lër të flas” të gjitha peripecitë dhe vështirësitë që ka kaluar.

Kur u largua nga Shqipëria drejt Italisë, atij i është dashur të punojë kamerier apo murator, derisa ngjiti majat dhe suksesin që ka sot.

“Kam punuar kamerier dhe murator. Kanë kaluar shumë vite, normale që jam me pozicion tjetër. Isha në vitin 92’, rreth 19-20 vjeç. Ishin momente më të vështira, por them që ishin normale kur shkon në një shtet tjetër, aq më tepë për ne shqiptarët. Mentaliteti ishte i tmerrshëm. Ishte një moment shumë i vështirë. Pas shkollës së baletit këtej shkova në Itali. Ëndrra ime ishte teatri operës dhe baletit. Asnjë nuk e dinte që do binte komunizmi, Italia ishte vendi që e kemi parë gjithmonë nga TV, si “shtëpi e bukur” ose vendi i mundësive.

Dëshira që të kisha më shumë liri në ekspozimin e ëndrrave të mia, bëri që të shkoja në Itali. 7-8 vitet e para ishin më të vështira. Kam jetuar fillimisht në veri, pastaj Verona e Milano, e më pas në Romë. Aty fillova punë si balerinë dhe 2-vite më vonë te Maria në programin “C’e posta per te”, e më pas te “Amici”. Mora “pensionin” aty. Jeta më ndryshoi kur njoha vajzën që tani e kam bashkëshorte, kemi dy fëmijë. Unë shkoj në çdo vend të Italisë, organizoj evente spektakle”.