Si filloi Patriarkati (pushteti i burrave), dhe a do t’i shpëtojë evolucionit?

Nga Ruth Mace

Edhe pse është disi në tërheqje në disa pjesë të botës, Patriarkati është rikthyer sërish në vëmendjen tonë. Në Afganistan, talebanët kanë nisur sërish të patrullojnë nëpër rrugë, duke qenë më shumë të interesuar për të garantuar mbylljen e të gjitha grave në shtëpi dhe respektimin prej tyre të kodit të rreptë të veshjes, sesa për zhytjen e pritshme të vendit në një zi buke.

Ndërkohë në një kontinent tjetër, disa shtete brenda SHBA-së po miratojnë ligje që ndalojnë abortin e ligjshëm të grave. Në të dyja rastet, kur dështoi lidershipi politik, u lejua rishfaqja e bindjeve patriarkale deri dje të fshehura. Herë pas here kemi një ndjenjë të frikshme të udhëtimit pas në kohë.

Por për sa kohë ka dominuar Patriarkati në shoqëritë tona? Riprodhimi ka qenë elementi kyç i evolucionit. Por ato që evoluojnë nuk janë vetëm trupat dhe truri ynë, por edhe sjelljet dhe kulturat tona. Për të maksimizuar suksesin e tyre riprodhues, burrat janë përpjekur shpeshherë që të kontrollojnë gratë dhe jetën e tyre seksuale.

Në shoqëritë nomade, ku kishte pak ose aspak pasuri materiale, siç ndodhte tek shumica e popujve grumbullues-gjahtarë, një grua nuk mund të detyrohej lehtësisht të qëndronte në një partneritet. Ajo dhe partneri i saj mund të lëviznin së bashku me të afërmit e saj, të afërmit e tij ose njerëz të tjerë tërësisht.

Nëse ishte e pakënaqur, ajo mund të largohej. Kjo mund të kishte një kosto nëse gruaja kishte fëmijë, pasi kujdesi atëror ndihmon zhvillimin dhe madje edhe mbijetesën e fëmijëve. Por ajo mund të shkonte të jetojë me të afërmit diku tjetër ose të gjente një partner të ri, pa qenë domosdoshmërisht në një gjendje më të keqe.

Lindja e bujqësisë që rreth 12.000 vjet më parë në disa zona, i ndryshoi gjërat. Edhe hortikultura relativisht e thjeshtë, kërkonte mbrojtjen e të korrave, pra qëndrimin në një vend të caktuar për një kohë të gjatë. Kjo shtoi konfliktet brenda dhe ndërmjet grupeve.

Për shembull, popuj Janomamo në Venezuelë, jetonin në familje të mëdha dhe në vendbanime shumë të fortifikuara, pasi sulmet e dhunshme nga grupet fqinje dhe “rrëmbimi i nuses” ishin një praktikë e zakonshme. Aty ku evoluoi blegtoria, popullata vendase duhej të mbronte tufat e bagëtive nga bastisjet.

Dhe duke qenë se gratë nuk ishin aq të suksesshme sa burrat në luftime, pasi ishin fizikisht më të dobëta, ky rol u takonte gjithnjë e më shumë burrave. Kjo gjë i ndihmoi ata të fitonin pushtet, dhe duke i lënë ata në krye të burimeve materialeve që po mbronin.

Kur nisi të rritej numri i popullsisë, pati probleme me koordinimin e punëve. Nisi të shfaqej pabarazia sociale, sidomos në rastin kur udhëheqësit (zakonisht meshkuj) ofronin disa përfitime për popullatën. Prandaj, popullsia e përgjithshme, si meshkujt ashtu edhe femrat, shpesh i toleronte këto elita në këmbim të ndihmës.

Kur bujqësia dhe blegtoria u zhvilluan akoma më shumë, pasuria materiale, tashmë e kontrolluar kryesisht nga burrat, nisi të bëhej gjithnjë e më e rëndësishme. Transmetimi i tokës ose i bagëtive brez pas brezi, i dha mundësinë disa familjeve që të grumbullojnë një pasuri të konsiderueshme.

Pasuria e krijuar nga bujqësia dhe blegtoria mundësoi poligjininë (burrat e martuar me shumë gra). Ndërkohë, gratë që kishin shumë burra (poliandria), ishte një dukuri shumë e rrallë. Në shumicën e sistemeve, gratë e reja ishin shumë të kërkuara, pasi ato kishin një periudhë më të shkurtër të aftësisë për të lindur fëmijë, dhe zakonisht merreshin më shumë me rritjen e tyre.

Burrat e përdornin pasurinë e tyre për të joshur vajzat e reja. Ata konkurronin midis tyre duke i paguar “prikën” familjes së nuses. Kësisoj, burrat e pasur mund të martoheshin me shumë gra, ndërsa disa burra të varfër mbeteshin beqarë.

Nëse prindërit donin që të maksimizonin numrin e nipërve dhe mbesave, kishte kuptim që ata t’ua jepnin pasurinë djemve dhe jo vajzave të tyre. Kjo gjë çoi në kalimin zyrtar të pasurisë dhe pronës në linjën mashkullore. Kjo do të thoshte se pas martesës, gratë përfundonin shpesh duke jetuar larg shtëpisë me familjen e burrit të tyre.

Pra ato nisën ta humbasin lirinë. Nëse toka, bagëtia dhe fëmijët janë pronë e burrave, atëherë divorci është pothuajse i pamundur për gratë. Një vajzë që do të rikthehej tek nëna dhe babai do të ishte e padëshiruar. Pra Patriarkati po merrte një kontroll të fortë.

Prika, një praktike ende e rëndësishme në pjesën më të madhe të Azisë, është mënyra që përdorin prindërit për t’i ndihmuar vajzat e tyre të konkurrojnë me gratë e tjera në tregun e martesës. Ndonjëherë ajo mund t’u japë grave më shumë liri dhe kontroll, të paktën mbi një pjesë të pasurisë së tyre familjare.

Por monogamia pati edhe pasoja të tjera. Përderisa pasuria vazhdonte të kalonte në linjën mashkullore, meshkujt bënë gjithçka që mundën që fëmijë të ishin të tyret. Ata nuk donin ta investonin padashur pasurinë e tyre tek pasardhësit e një burri tjetër. Prandaj u kontrollua shumë jeta seksuale i grave.

Mbajtja e grave larg burrave (purdah), ose mbyllja e tyre në manastire fetare, siç ndodh ende në disa zona të Indisë mund të jenë të gjitha rezultatet e kësaj. Dhe në kontekstin aktual, ndalimi i abortit i bën marrëdhëniet seksuale potencialisht të kushtueshme, duke i mbajtur peng njerëzit në martesa qoftë edhe të palumtura, dhe duke penguar perspektivën e karrierës tek gratë.

Është relativisht e rrallë që pasuria të kalojë në linjën femërore. E megjithatë shoqëri të tilla ekzistojnë ende. Për shembull, disa sisteme të matriakatit në Afrikë, burrat mbeten një forcë e fuqishme në familje. Por janë vëllezërit dhe xhaxhallarët më të mëdhenj, ata që përpiqen të kontrollojnë gratë dhe jo burrat apo baballarët.

Por në përgjithësi, gratë kanë më shumë fuqi. Gratë në sistemin matriarkal përdorin shpesh mbështetjen e nënave dhe vëllezërve dhe motrave të tyre, në vend të burrave të tyre, për të ndihmuar në rritjen e fëmijëve. Kjo praktikë, i bën burrat më pak të interesuar (në kuptimin evolucionar) për të investuar në familje.

Pasi familjet përfshijnë jo vetëm fëmijët e gruas së tyre, por shumë fëmijë të grave të tjera. me të cilët ata nuk kanë lidhje. Kjo i dobëson lidhjet martesore dhe e bën më të lehtë kalimin e pasurisë midis të afërmve femra. Në shoqëri të tilla, gratë janë më pak të kontrolluara për jetën e tyre seksuale, pasi atësia është një çështje më pak shqetësuese, në kushtet kur gratë kontrollojnë pasurinë dhe ua kalojnë atë vajzave të tyre.

E ardhmja është e vështirë të parashikohet. Antropologjia dhe historia nuk përparojnë në mënyra të parashikueshme dhe lineare. Luftërat, zitë e bukës, epidemitë apo inovacionet janë gjithmonë në fshehje dhe kanë pasoja të parashikueshme dhe të paparashikueshme për jetën tonë. Por Patriarkati nuk është i pashmangshëm. Ne kemi nevojë për institucione që të na ndihmojnë të zgjidhim problemet e botës. Por nëse njerëzit e gabuar vijnë në pushtet, Patriarkati mund të rigjenerohet.

Marrë me shkurtime nga “The Conversation” – Bota.al