Radikalja Giorgia Meloni drejt zyrës së kryeministrit të Italisë
Liderja e ekstremit të djathtë Giorgia Meloni duket se i ka fituar zgjedhjet e kësaj të diele në Itali. Sipas exit poll-eve ajo është në rrugën e duhur për t’u bërë kryeministrja e parë femër në këtë vend.
Nëse këto shifra konfirmohen, Meloni do të provojë të formojë qeverinë më të djathtë të Italisë që nga Lufta e Dytë Botërore. Një Itali e udhëhequr nga Meloni e ka alarmuar që tani pjesën më të madhe të Evropës teksa ka një luftë të Rusisë në Ukrainë.
Meloni parashikohet të fitojë midis 22-26% të votave sipas një sondazhi të Rai. Ajo është mjaft përpara rivalit të saj më të afërt Enrico Letta nga qendra e majtë. Disa sondazhe i dhanë aleancës së saj të djathtë një epërsi komanduese, me 41-45% të votave. Kjo do t’u jepte 3 partive (Meloni, Salvini, Berlusconi) kontrollin e të dyja dhomave të parlamentit.
Qendra e majtë është shumë prapa me 25,5% deri në 29,5% të votave. Ata nuk mundën të krijonin një linjë të qëndrueshme me partitë e tjera. Kjo pasi qeveria 18-mujore e unitetit kombëtar të Italisë u rrëzua në korrik. “Lëvizja 5 Yjet” nën drejtimin e Giuseppe Conte duket në rrugën e duhur për vendin e tretë. Pavarësisht se kjo forcë ka disa politika të qendrës së majtë nuk shkon mirë me Partinë Demokratike të Enrico Letta.
Pjesëmarrja ishte një 64.7% e konsideruar mjaft e ulët. Nivelet e votimit ishin veçanërisht të dobëta në rajonet jugore, përfshirë Siçilinë. Vendimi se kush do të bëhet lideri i ardhshëm i Italisë varet nga presidenti i vendit dhe kjo do të marrë pak kohë.
Reagimet
Edhe pse Giorgia Meloni ka punuar shumë për të zbutur imazhin e saj, duke theksuar mbështetje për Ukrainën dhe duke zbehur retorikën anti-BE, ajo drejton një parti të rrënjosur në një lëvizje të pasluftës që u ngrit nga fashistët e Benito Musolinit. Italia është një nga themeluesit e Bashkimit Evropian dhe një anëtar i NATO-s. Retorika e Melonit për BE-në e vendos atë në krah të liderit nacionalist të Hungarisë, Viktor Orban.
“Unë mendoj se do të shohim më shumë kufizime mbi të drejtat civile dhe politikat për LGBT dhe emigrantët” – tha për BBC, Prof Gianluca Passarrelli.
Aleatët e saj, Matteo Salvini i Ligës së ekstremit të djathtë dhe Forza Italia e qendrës së djathtë të Silvio Berlusconit kanë pasur të dy lidhje të ngushta me Rusinë. Salvini shpreson të kthehet në ministrinë e brendshme për të ndaluar anijet me emigrantë që kalojnë nga Libia. Duke reaguar pas exit poll, Salvini tha se “e djathta kishte një avantazh të qartë si në Dhomë ashtu edhe në Senat”. ©LAPSI.al